Një ngjarje jo e zakontë ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Kosovë.
Në Klinikën Gjinekologjike Obstetrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka lindur një foshnje e pajetë, ndërsa bashkëshorti i gruas që kishte lindur fëmijën është njoftuar menjëherë pas operimit se foshnja për shkak problemeve shëndetësore, nuk ka mbijetuar.
Ky i fundit ka akuzuar spitalin se i është ndërruar foshnja me dikë tjetër.
Gazeta Express, raporton se drejtori i Klinikës Gjinekologjike, Zef Ndrejaj, ka mohuar akuzat dhe i ka qendruar deklaratës së mëparshme se foshnja nuk ka mbijetuar për shkaqe shëndetësore.
“Ajo ka qenë më probleme edhe më herët ka pasur gjakderdhje të brendshme. Foshnja nuk është ndërruar sepse edhe gjatë operacionit është informuar gruaja që ka probleme, iu është shpjeguar familjarëve me kohë që ka problem. Nuk ka ndërrim të foshnjës, por e ka keqkuptuar situatën sepse prindi ka qenë i tensionuar pak”, u shpreh Ndrejaj.
Ndërkohë akuzuesi ka denoncuar rastin në autoritetet policore ku ka kërkuar që fëmija i cili nuk mundi të mbijetojë t;i nënshtrohet autopsisë dhe të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për testim të mëtejshme.
Njësitë policore kanë njoftuar edhe Prokurorin e Shtetit lidhur me rastin, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë i fëmijës të dërgohet për obduksion në IML.