Tre javë më parë në fshatin e largët të Maliqit, Strelcë, një 70 vjecar u arrestua me akuzën e ngacmimit seksual ndaj një vajze 10 vjecare nga po i njejti fshat. Iqmet Skënderi është në burgun e Drenovës për këtë akuzë, por sipas tij dhe opinionit të bashkëfshatarëve, kjo akuzë nuk mund të jetë e vërtetë. Iqmeti, thonë ata që e njohin, prej më shumë se 25 vitesh shet në një dyqan në fshat, ku familja e vajzës së vogël rezulton borxhlie. Ne komunikuam me të akuzuarin nga burgu i Drenovës, Iqmet Skënderi, i cili tregon, se dy ditë, para se të akuzohej, ai pati një konflikt me mamanë e vajzës 10 vjecare, Marselen, pasi kjo e fundit i kërkonte shpesh telefonin, për të denoncuar të shoqin në polici.
Atë ditë Iqmeti nuk ia dha telefonin dhe e përzuri nga dyqani.Dy ditë më pas Marsela sajoi historinë e ngacmimit, pasi sic pranon vetë, zotëria nuk i shërbeu vajzës. Pas një ore Iqmeti u arrestua. Sipas të dhënave në dosjen hetimore akuza ndaj Iqmetit është vetëm deklarata e vajzës dhe asnjë provë tjetër apo një hetim i thelluar, që do të conte në zbardhjen e të vërtetës.Ish-prokurori Eugen Beci dhe psikologia Bruna Laboviti shpjegojnë procedurat, që duhet të ndjekë prokuroria dhe policia në të tilla akuza të rënda e delikate.