Një ditë më parë emisioni “Stop” transmetoi një tjetër skandal me abuzimin e dhënies së ndihmës ekonomike.
Pranë redaksisë kishte mbërritur një denoncim për Gazmir Qemën, i cili është pjesë e skemës së ndihmës ekonomike prej vitit 2014, ndërkohë që prej 3 vitesh ai ka emigruar sëbashku me familjen si azilkërkues në Gjermani. Pyetja që ngrihet është se kush e ka marrë ndihmën ekonomike.
Emisioni “Stop” investigoi këtë çështje dhe rezultoi se punonjësja e Zyrës së Ndihmës Ekonomike Kamëz, Dhurata Çali ka ndjekur procedurën e ndihmës ekonomike të familjes Qema, në këmbim të një shume prej 27 mijë lekësh të vjetra në muaj.
Astrit Vata, drejtor i Zyrës së Ndihmës Ekonomike tregon se ndaj Dhurata Çalit është marrë administrative, duke e pezulluar nga detyra dhe se gjithashtu personat që kanë abuzuar me ndihmën ekonomike do të kthejnë paratë.
“Ne do të presim deri në mbylljen përfundimtare të hetimeve nga organet kompetente. Paratë e marra do të kthehen në Zyrën e Shërbimit Social”, u shpreh Vata.
Ndërsa juristi i Bashkisë Kamëz, Hakli Hoti deklaroi se do të bëjë kallëzim pë rastin në fjalë, duke iu referuar nenit 281, pika 1 e Kodit të Procedurës Penale, ku thuhet: “Nëpunësit publikë, të cilët gjatë ushtrimit të detyrës ose për shkak të funksioneve a të shërbimit të tyre, marrin dijeni për një vepër penale që ndiqet kryesisht, detyrohen të bëjnë kallëzim me shkrim edhe kur nuk është individualizuar personi të cilit i atribuohet vepra penale”.
Hoti shtoi: “Duke qenë se ne sot jemi vënë në dijeni që Drejtoria e Policisë qarku Tiranë, sektori Antikorrupsion ka filluar një çështje penale, kryesisht për punonjësen tonë, do të marrim masat si zyrë juridike për të bërë kallëzimin në institucionin përkatës”.
Çfarë transmetoi dje emisioni “Stop” për këtë çështje:
Gazetarja e emisionit “Stop” tregoi se familja Qema e ka pasaportizimin në Bathore, ndërkohë që banon në Valias të Ri. Ajo iu drejtua shtëpisë së vjehrrit të tij, Fatmirit, ku banonte Gazmiri me familjen, por duke qenë se nuk u përgjigj njeri, pyeti banorët e zonës nëse kanë informacion për këtë familje.
Banori 1
Gazetarja – Këtë Fatmirin këtu, e njeh ti?
Banori 1 – E kam komshi.
Gazetarja – Komshi. Arjona, Arjona…
Banori 1 – E ka gocë.
Gazetarja – Po, vajza e Fatmirit. Kam informacion që ka 3 vjet që ka ikur në Gjermani. Apo jo?
Banori 1 – E di, që kështu, ka ik atje. Po!
Gazetarja – Ka ikur në Gjermani?
Banori 1 – Kështu thuhet, di gjë unë…
Gazetarja – Kam marrë një listë këtu tek Bashkia për këto familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe një nga këto familje është edhe familja e këtij Gazmir Qemës. Di gjë nëqoftëse janë aty, apo jo?
Banorja 2 – Jo, ajo nuk është aty!
Gazetarja – Ku është?
Banorja 2 – Ka 3 vjet që është në Gjermani ajo.
Gazetarja iu drejtua Zyrës së Ndihmës Sociale në Bashkinë e Kamzës për të verifikuar nëse Gazmir Qema është përfitues i ndihmës ekonomike, ku komunikoi me Durata Çalin, specialisten e Zyrës së Ndihmës Ekonomike.
Gazetarja – Ne kemi informacion për një familje në nevojë, donim të dinim: a merr ndihmë ekonomike?
Administratorja Shoqërore – Emrin…
Gazetarja – Gazi Qema.
Administratorja Shoqërore – Gazmir Qema?
Gazetarja – Po!
Administratorja Shoqërore – Si e ka emrin bashkëshortja?
Gazetarja – Arjona.
Administratorja Shoqërore – Arjana, jo Arjona e ka emrin.
Gazetarja – Ndoshta, kështu na ka ardhur informacioni.
Administratorja Shoqërore – Është familje me 5 anëtarë: Gazmir, Arjana është bashkëshortja..
Gazetarja – Po!
Administratorja Shoqërore – Kam qenë tek shtëpia…
Gazetarja – Po!
Administratorja Shoqërore – Dhe ato rrinë në një shtëpi dy-katëshe…
Gazetarja – Po!
Administratorja Shoqërore – Dy-katëshe e mbaruar, jo se dy-katëshe…
Gazetarja – Kuptoj! Me çfarë shume trajtohen?
Administratorja Shoqërore – 57 mijë lekë të vjetra.
Gazetarja – Shumë faleminderit për informacionin! Mirupafshim!
Administratorja Shoqërore, Dhurata Çali përballë gazetares së emisionit “Stop”:
Administratorja Shoqërore – Odeta! Përshëndetje!
Gazetarja – Interesohem për Gazmir Qemën, i cili përfiton ndihmë ekonomike si një familje në nevojë,ndërkohë që ndodhet azilant në Gjermani.
Administratorja Shoqërore – S’ka mundësi.
Gazetarja – Janë shpërngulur nga 2015 e deri më sot. Kush ka aplikuar për Gazmirin?
Administratorja Shoqërore – Ka ardhur vjehrra me një autorizim, ia kemi kaluar disa herë si autorizim, ndërsa verifikimi në familje nuk më takon mua si administratore e ndihmës që ta bëj për këtë familje. Nuk më takon mua sepse jemi të ndarë, njësia e Bathores ka pjesën tjetër, unë kam pjesën e Kamzës. Nuk di të të jap përgjigje se nuk është banori im! Nuk e kam në juridiksionin tim që ta kontrolloj.
Gazetarja – Çfarë do të ndodhë me këtë rast?
Administratorja Shoqërore – Do të thirret personi që ka tërhequr lekët nga posta dhe do t’i bëhet arkëtimi i gjithë shumës së tërhequr në mënyrë të padrejtë, sipas verifikimit që do bëhet nga ana e administratorëve.
Ndaj gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua Zyrës së Ndihmës Ekonomike Bathore, ku specialisti tha se kjo familje ka aplikuar për herë të parë për ndihmë ekonomike në vitin 2014.
“Ne kontrollojmë situatën e personave që aplikojnë pranë kësaj zyre, dalin fitues në sistem dhe nëse janë fitues, të paktën për 3 muaj rrjesht administratori bën verifikimet në terren, nëse përputhen gjendja sociale-ekonomike e deklaruar në sistem me realitetin. Përderisa kjo familje nuk rezulton që ka bërë deklarim 3 mujor pranë kësaj zyre, atëherë ne nuk bëjmë dot verifikim për një familje që nuk është kontigjent i kësaj zyre, pavarësisht se mund të jetë banor”.
Pas kësaj deklarate, nuk mbeti gjë tjetër veçse rikthimit në Zyrën e Ndihmës Ekonomike Kamëz, por specialistja Dhurata Çali nuk ndodhej, ndaj u telefonua për ta vendosur në dijeni.
Administratorja Shoqërore – Odeta!
Gazetarja – Pas intervistës që zhvilluam dje, vajta te Zyra e Ndihmës Ekonomike Bathore, ku ishte krijuar hapja e ndihmës ekonomike që në vitin 2014.
Administratorja Shoqërore – Po, po!
Gazetarja – Por pastaj nuk ishte paraqitur te zyra e Bathores, por ishte paraqitur këtu te ty, zyra e Kamzës.
Administratorja Shoqërore – Po, po!
Gazetarja – Vërtetë është banor në Bathore, por aplikimin e ka bërë tek ty. Pse më çove në Bathore kur e ka bërë aplikimin e ka bërë këtu dhe përgjegjësinë e ka Zyra e Ndihmës Ekonomike në Bashkinë Kamëz.
Administratorja Shoqërore – E ka dhe Bathorja se e ka banorin e vet, e ka dhe Kamza.
Gazetarja – Nuk e kishte pra, këtë jam duke të thënë.
Administratorja Shoqërore – Po tani ku e di unë se çfarë thotë Bathorja. Mirë, kur të vijë nga afër flasim…
Gazetarja – Nuk e kishte Bathorja sepse nuk rezulton aplikues.
Administratorja Shoqërore – E mirë, mirë!
Dhurata Çali ndërpreu telefonatën, duke lënë gazetaren duke i shpjeguar se çfarë iu tha në Zyrën e Ndihmës Ekonomike Bathore.
Gazetarja u shpreh se sipas specialistes së ndihmës ekonomike në Kamëz, aplikimi bëhet në Kamëz, ndërsa verifikimi në Bathore. Ndaj u rikthye në shtëpinë e vjehrrit dhe vjehrrës së Gazmir Qemës.
Vjehrra e tij, Rabie Mema tregoi se nuk e dinte që nuk duhej të merrte ndihmën ekonomike kur dhëndrri i saj me familjen nuk ndodhen në Shqipëri.
“Ato s’më kanë thënë asnjë gjë. Më kanë marrë lekë, i kam dhënë kartat. Asnjë gjë se do të ma kishin ndaluar. Ata janë në Gjermani s’ta mohoj. Të më thoshin këto që nuk të takon, mos hajde”.
E pyetur nga gazetarja se ku e paraqet deklarimin, ajo tha se gjithçka e ka bërë Dhurata Çali.
“Unë kam dhënë lekë kush ma ka lëshuar autorizimin. Ajo duhej të më thoshte që nuk lejohet dhe unë spostohesha. Unë kam marrë 30 mijë lekë në muaj”, ndërsa diferencën e ka marrë Dhurata Çali.
Moderatorët e emisionit “Stop” u shprehën se taksat tona duhet të shkojnë për familjet në nevojë dhe për përmirësimin e infrastrukturës së kopshteve dhe shkollave dhe jo të abuzohet nga “Dhuratat”.