TIRANË
Në fjalën e saj në konferencën “Forcimi i drejtësisë penale përmes bashkëpunimit të ngushtë të institucioneve të drejtësisë”, ministrja e drejtësisë Etilda Gjonaj u shpreh se pas 5 vitesh, nga miratimi i Reformës në drejtësi, jemi dëshmitare të një pune të jashtëzakonshme jo vetëm në hartimin dhe miratimin e një korpusi të tërë ligjor, por dhe në ngritjen e ngrehinës së re me institucionet e drejtësisë, dhe funksionimin e plotë të tyre, përkundër të gjithë vështirësive dhe pengesave që u vendosën në çdo hallkë të zbatimit të saj.
Gjonaj theksoi se është momenti që prokurorët të tregojnë se ushtrojnë funksionin e tyre me përgjegjshmëri dhe në zbatim vetëm të ligjit. “Procedimi disiplinor i prokurorëve si një proces tërësisht i pavarur, i pandikuar nga politika si në të kaluarën duhet të bëjë që sistemi të përmirësohet.” theksoi Gjonaj, ndërsa shtoi se organet e reja janë ngritur me punonjës që kanë kaluar vettingun në process transparent dhe mbi bazë meritokracie.
Fjala e Plotë:
Pas 5 vitesh, nga miratimi i Reformës në drejtësi, jemi dëshmitare të një pune të jashtëzakonshme jo vetëm në hartimin dhe miratimin e një korpusi të tërë ligjor, por dhe në ngritjen e ngrehinës së re me institucionet e drejtësisë, dhe funksionimin e plotë të tyre, përkundër të gjithë vështirësive dhe pengesave që u vendosën në çdo hallkë të zbatimit të saj.
Tashmë dihet, reforma në drejtësi ishte një nevojë jetike jo vetëm për vetë sistemin e drejtësisë por edhe për funksionimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri, dhe kjo ishte edhe më e dukshme në sistemin e drejtësisë penale.
Funksionimi i sistemit të mëparshëm të prokurorisë, si një sistem i centralizuar dhe hierarkik, pa asnjë sistem kontrolli, në Shqipëri kishte dështuar. Një sistem i cili nuk garantonte pavarësinë e brendshme të prokurorëve, një sistem që nuk i përgjigjej sfidave aktuale të kriminalitetit dhe krimit të organizuar dhe korrupsionit në vecanti, një sistem i lehtë ndikueshëm politikisht apo edhe nga krimi, i cili provonte dita ditës që nuk garantonte ndjekjen penale në mënyrë të drejtë, të barabartë, në mbrojtje të lirive personale dhe të drejtat e njeriut, që i dha rrugë të lirë pandëshkueshmërisë. Duke bërë që qytetarët shqiptarë të humbnin plotësisht besimin tek sistemi i drejtësisë.
Ne të gjithë jemi dëshmitarë që pavarësia e prokurorit në raport me drejtuesin hierarkik ishte praktikisht e kufizuar, duke qënë një pengesë edhe për prokurorët me kurajo, integritet dhe guxim profesional që të ushtronin plotësisht ndjekjen penale dhe të vinin përpara përgjegjësisë çdo shkelës të ligjit. Kjo padyshim lidhet me varësinë e drejtëpërdrejtë të karrierës së prokurorit, ku shumë prej tyre janë gjendur përpara transferimeve të papërligjura.
E bëra këtë panoramë të shkurtër të sistemit të kaluar, për të kuptuar që sot nuk kemi thjesht ligjet e reja dhe arkitekturën e re të sistemit të drejtësisë, nuk kemi vetëm institucionet e reja, dhe njerëz të rinj të zgjedhur me procese transparente dhe te pandikuara politikisht në krye të këtyre institucioneve por kemi një sistem të drejtësisë penale tërësisht të ndryshuar, në të cilën garantohen parimet dhe standartet e pavarësisë dhe paanësisë, transparencës dhe profesionalizmit.
Pavarësia e jashtme dhe e brendshme e prokurorit në ushtrimin e ndjekjes penale tashmë është e garantuar nga sistemi i ri, ashtu sic është garantuar emërimi, transferimi, promovimi meritokratik dhe transparent i tyre tashmë e pandikuar nga rregulli i vjetër i zbatimit ose jo i urdhërave të eprorëve. Por është momenti që prokurorët të tregojnë se ushtrojnë funksionin e tyre me përgjegjshmëri dhe në zbatim vetëm të ligjit. Procedimi disiplinor i prokurorëve si një proces tërësisht i pavarur, i pandikuar nga politika si në të kaluarën duhet të bëjë që sistemi të përmirësohet.
Ngritja dhe funksionimi i Këshillit të Lartë të prokurorisë, të SPAK-ut, të emërimit të Prokurorit të përgjithshëm, janë rezultate të cilat janë shumë të vlerësuara si një hap i jashtëzakonshëm, aspak i lehtë që janë bërë në drejtim të sistemit të ri penal. Tashmë, është plotësisht funksionale edhe Byroja Kombëtare e Hetimit, dhe pritshmëria për të pasur një sistem drejtësie penale që godet krimin e organizuar dhe korrupsionin, është në nivelet më të larta.
Procesi i pastrimit të sistemit të prokurorisë ashtu si dhe gjyqësorit, ishte një proces mëse i nevojshëm i cili ka dhënë rezultate shumë të mira dhe që do të vijojë të mbështetet nga ne.
Kemi patur vullnetin dhe angazhimin maksimal dukë dhënë mbështetje të jashtëzakonshme financiare dhe strukturore, mbështetje në infrastrukturën e godinave për institucionet e reja, mbështetje për sistemin e ri të pagave të prokurorëve, të mbështetjes së diferencuar me paga për shkak të vështirësisë të prokurorëve të të gjithë strukturës së SPAK-ut për të siguruar ushtrimin e detyrës me pavarësi dhe përgjegjshmëri të plotë. Dhe do të vazhdojmë ta japim këtë mbështetje.
Ashtu siç jemi mbështetur për reformën në drejtësi, që në krye të herës pa asnjë kushtëzim, duke ditur që kjo reformë është gjëja e duhur për shqipërinë nga partnerët tanë, SHBA dhe BE.
Por tashmë kemi hyrë në një fazë tjetër, atë të konsolidimit të rezultateve të reformës në drejtësi dhe specifikisht të sistemit penal. Sapo kemi dizenjuar Strategjinë e re ndërsektoriale të zbatimit të reformës në drejtësi për fazën tjetër, për periudhën 2021 – 2025, e cila do të prezantohet sapo të miratohet.
Ministria e Drejtësisë në funksionin e koordinatorit dhe monitoruesit të rezultateve të kësaj strategjie ka udhëhequr procesin, dhe janë mbështetur të gjitha nevojat dhe prioritetet që vetë institucionet kanë identifikuar, për periudhën në vijim, duke patur si qëllimin kryesor efektshmërinë e sistemit të ri, vendosjen në punë të makinës së re të drejtësisë.
Por besoj që ndajmë të njëjtin mendim, njëherë që institucionet janë ngritur, kanë hedhur bazat për funksionimin të tyre, kanë arritur prioritetet e nevojshme diku më shpejt diku më vonë; – dicka më mirë, dicka më pak mirë, – tashmë është momenti që secili të shoh brenda përgjegjësisë së tij dhe funksionit në bërjen sukses, në arritjen e rezultateve duke vendosur në themel standartet më të mira të drejtësisë së re.
Përgjegjësitë tona janë të përcaktuara dhe të ndara në kufijtë e kushtetutës dhe ligjit, por bashkëpunimi dhe ndërveprimi midis institucioneve është thelbësor pasi i shërben vetë qëllimit që synon reforma në drejtësi.
E në reflektim të përgjegjësive të secilit nga institucionet, kemi pika takime të vendosura nga kushtetuta dhe ligji, dhe jo pa qëllim, por duhen që këto pika takimi të shihen dhe shfrytëzoehn si mundësi për tu koordinuar dhe bashkëvepruar, për të mos i parë si pika ndarje apo parcela të vecanta për të ruajtur pavarësinë e institucioneve.
Ndryshimet kushtetuese dhe paketa e ligjeve që sollën reformimin më të madh të sistemit, nuk është vetëm ngushtësisht gërma e ligjit por është edhe fryma, parimet, standartet që mbart kjo reformë, për të arritur qëllimin tonë të përbashkët dhe për të bërë histori suksesi të gjithë bashkë.
Vetëm nëpërmjet bashkëpunimit dhe ndërveprimit institucional, ne mundet të çojmë para angazhimin që të gjithë kemi marrë përpara qytetarëve shqitarë dhe të përmbushim pritshmëritë për një sistem drejtësie të pavarur, të paanshëm dhe të efektshëm. Faleminderit !