Shtyhet fillimi i vitit të ri akademik, Ministrja Kushi: Mësimi do të nisë më 18 tetor, koha të shfrytëzohet nga studentët për t’u vaksinuar – Stop
Lajme, Të Gjitha

Shtyhet fillimi i vitit të ri akademik, Ministrja Kushi: Mësimi do të nisë më 18 tetor, koha të shfrytëzohet nga studentët për t’u vaksinuar

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka njoftuar shtyrjen e fillimit të vitit të ri akademik.

Ajo shkruan në rrjete sociale, se shtyrja ka ardhur për arsye që të përshpejtohet procesi i vaksinimit të pedagogëve dhe studentët, në mënyrë që të ruhet shëndeti i të gjithëve.

Ministrja njofton se me kërkesë së Konferencës së Rektorëve, viti i ri akademik do të nisë më datën 18 tetor dhe koha e mbetur, pra nga data 11 deri në 17 tetor, të shfrytëzohet për vaksinim. Në ndihmë të kësaj, ministrja thotë se ambientet e universiteteve do të jenë të hapura me personel mjekësor të gatshëm për të kryer injektimet.

Ndër të tjera, Kushi i bën thirrje studentëve që të vaksinohen, me qëllim që viti i ri akademik të jetë sa më i mbarë dhe i suksesshëm.

 

Njoftimi i Ministres Evis Kushi:

 

Të dashur studentë,
Së pari dua t’ju falenderoj të gjithë ju që i jeni bashkuar procesit të vaksinimit dhe po na ndihmoni që së bashku t’i rikthehemi normalitetit në të gjitha universitetet e vendit. Meqënëse fillimi i vitit të ri akademik po afron dhe ne duam që të gjithë ju, pa përjashtim, të hyni në auditore pa rrezikuar shëndetin tuaj dhe të stafeve akademike, javën e ardhshme e kemi shpallur si “Java e vaksinimit masiv të studentëve”.
Shumë faleminderit edhe një herë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që shprehu menjëherë gatishmërinë që në të gjitha fakultetet dhe universitetet e vendit të vendosë në dispozicion ekipet e tyre të vaksinimit, për të mundësuar mbarëvajtjen e këtij procesi.

E që kjo javë të jetë sa më produktive, me kërkesë të Konferencës së Rektorëve, viti i ri akademik do të fillojë zyrtarisht në datën 18 tetor, me qëllim që nga data 11-17 tetor të gjithë së bashku të jemi të fokusuar vetëm në procesin e vaksinimit të studentëve.
Nga universitetet do të kërkoja sa më shumë bashkëpunim dhe koordinim me strukturat e shëndetësisë, për të venë në dispozicion të gjitha hapësirat e nevojshme për studentët dhe personelin e vaksinimit, ndërsa studentëve do t’u lutesha me gjithë zemër e do t’i inkurajoja fort që ta shfrytëzojnë edhe këtë mundësi të re, me qëllim që viti i ri akademik të jetë sa më i mbarë e i suksesshëm.

Kam shumë besim që ju, të dashur studentë, do të na provoni edhe këtë herë që jeni pjesa më vitale dhe progresiste e shoqërisë sonë.
Faleminderit dhe shumë suksese të gjithëve!

 

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *