Kapet një tjetër shtëpi bari në mes të Tiranës. Policia njoftoi mëngjesin e sotëm për arrestimin e dy personave nga Komisariati i Policisë nr. 2. Në pranga janë vënë Alban Karapici, 38 vjeç dhe Leonardo Zela, 23 vjeç.
38-vjeçari kishte përshtatur banesën e tij me llamba për kultivimin e kanabisit në disa vazo lulesh i cili më pas ruhej në kavanozë. Ndërkohë kjo lëndë narkotike shitej nga 23-vjeçari në zonën e ish-parkut të autobusëve në Tiranë.
Gjatë operacionit të koduar “Ndërveprimi” në shtëpinë e “fermerit” janë sekuestruar vazo me fidanë kanabis të kultivuara në to, 31 llamba elektrike, një sasi rreth 140 gramë kanabis, e cila ishte e ambalazhuar në 7 kavanozë qelqi të përmasave të ndryshme, një radio si ato që përdoren nga Policia, një bllokues valësh dhe një detektor për kërkimin e GPS.
Ndërsa 23-vjeçarit iu gjetën në banesë 4 kavanozë qelqi me kanabis, një peshore elektronike, një përforcues grushti, sasi farash të dyshuara narkotike kanabis dhe shumat e parave të ndara në 11150 euro dhe 11.000 paund.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.