Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, shprehet se qytetarët shqiptarë edhe pse janë të fundit në botë sa i përket të ardhurave për frymë në Europë, renditen në vendin e shtatë në botë për çmimin më të shtrenjtë të naftës.
Sipas Bashës, çmimet që dëmtojnë konsumatorët dhe prodhimin janë pasojë e taksave të qeverisë mbi karburantet, si dhe e kontrabandës, që lejohet për klientelën e kryeministrit, në kurriz të shqiptarëve.
Ai gjithashtu nënvizoi se në programin e Demokratëve Euroatlantikë është edhe angazhimi i kahershëm për heqjen e taksës Rama, që rëndon me 24 lekë për litër mbi çmimin e karburantëve.
Postimi i plotë i Bashës:
Të fundit në Europë për të ardhurat për frymë, të shtatët në botë për çmimin më të shtrenjtë të naftës. Ky është bilanci i një qeverie që nuk punon për qytetarët, por për veten dhe klientelën e saj.
Çmimet që dëmtojnë konsumatorët dhe prodhimin janë pasojë e “taksës Rama” mbi karburantet, si dhe e kontrabandës, që lejohet për klientelën e kryeministrit, në kurriz të shqiptarëve.
Në fund, faturën e paaftësisë dhe grykësisë së qeverisë më të korruptuar në Europë e paguajnë familjet shqiptare, me çmime që bëhen çdo ditë e më të papërballueshme.
Shqipëria nuk meriton këtë tallje, shqiptarët meritojnë më shumë, prandaj në programin e Demokratëve Euroatlantikë ne i kemi qëndruar besnikë angazhimit tonë të kahershëm për heqjen e taksës Rama, që rëndon me 240 lekë të vjetra për litër mbi çmimin e karburantëve.
Shqipëria meriton më shumë!