Shpërthimi që shkaktoi 6 viktima në Athinë, çifti shqiptar në pritje të fëmijës, autoritetet dyshojnë për rrjedhje gazi

Gjashtë persona humbën jetën pas shpërthimit të fuqishëm që shkatërroi një godinë në rrugën Lysikratous, në zonën e Plakës në Athinë, ndërsa mes viktimave janë edhe tre persona me origjinë shqiptare. Pas përfundimit të operacionit të kërkim-shpëtimit, autoritetet greke vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e sakta që çuan në shpërthimin dhe shembjen e godinës.

Trupat e gjashtë personave që rezultonin të zhdukur pas ngjarjes u nxorën nga rrënojat nga ekipet e zjarrfikësve dhe forcat speciale të EMAK-ut. Mes viktimave janë Florinda Hoxha dhe bashkëshorti i saj, Ian Alexander Kirkpatrick. Çifti ishte martuar së fundmi dhe ndodhej në Greqi për muajin e mjaltit, por qëndrimi i tyre në Athinë u ndërpre në mënyrë tragjike nga shpërthimi që shkatërroi godinën.

Florida Hoxha dhe bashkëshorti i saj Ian Alexander Kirkpatrick
Në të njëjtën ndërtesë ndodheshin edhe Florin Hoxha, vëllai i Florindës, dhe bashkëshortja e tij, Eris Çani, të cilët gjithashtu humbën jetën. Sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, çifti po qëndronte në të njëjtën godinë dhe Eris Çani ishte në pritje të një fëmije.

Dy viktimat e tjera janë Athina Paparesku dhe Edmond Hingis, 77 vjeç, me origjinë britanike, të cilët banonin në katin e dytë të godinës.

Çfarë e shkaktoi shpërthimin?

Katër ditë pas shpërthimit, hetimet në vendngjarje vazhdojnë ndërsa ekspertët po përpiqen të përcaktojnë se si u krijuan kushtet që çuan në shpërthimin fatal.

Sipas raportimeve të mediave greke, ndër skenarët kryesorë që po shqyrtohet është ai i një rrjedhjeje të gazit natyror nga një pajisje brenda godinës, e cila më pas mund të jetë ndezur nga një shkëndijë.

Hetimet janë përqendruar veçanërisht në instalimin e gazit në katin e dytë, në pjesën e godinës që u shkatërrua nga shpërthimi. Sipas informacionit të transmetuar nga ERT, ekspertët po shqyrtojnë mundësinë që një pajisje të jetë vënë në funksion gjatë natës dhe të ketë shkaktuar një rrjedhje, ndërsa furnizimi me gaz mund të ketë vazhduar deri në orët e mëngjesit.

Në këtë mënyrë, sipas skenarit që po hetohet, gazi mund të jetë grumbulluar brenda një prej ambienteve të godinës deri në krijimin e një përqendrimi të rrezikshëm.

Ekspertët po shqyrtojnë edhe mundësinë që përqendrimi i gazit të ketë arritur rreth 15 për qind, ndërsa një shkëndijë e shkaktuar nga ndezja e një pajisjeje elektrike mund të ketë qenë e mjaftueshme për të shkaktuar shpërthimin.

Një nga elementet që po shqyrtohet në kuadër të këtij skenari është edhe vendi ku u gjet trupi i gruas së moshuar. Sipas raportimeve, ajo u gjet pranë lavamanit të banjës, duke ngritur dyshimin se shpërthimi mund të ketë ndodhur në momentin kur ajo hyri në banjë dhe ndezi dritën.

Trupat e viktimave të tjera u gjetën në ambiente të ndryshme të godinës, përfshirë dhomat dhe shtretërit.

Të hënën, më 28 shtator, ekipe të specializuara kryen një seri kontrollesh për të përcaktuar nëse kishte rrjedhje në rrjetin e gazit. Për testet u përdorën azot dhe manometra, ndërsa kontrolli u përqendrua fillimisht në një tub rreth dy metra të gjatë, i cili lidh furnizimin qendror me matësin e gazit natyror të ndërtesës.

Sipas ERT, matjet nuk zbuluan rrjedhje në këtë pjesë të instalimit.

Ky rezultat i ka orientuar hetimet drejt pjesës së brendshme të godinës dhe veçanërisht drejt instalimit të gazit në katin e dytë, ku ndodheshin një ngrohës uji dhe një kuzhinë.

Ekspertët po kontrollojnë tashmë me imtësi pajisjet dhe instalimet e brendshme, në përpjekje për të përcaktuar nëse një defekt në sistemin e gazit ka shkaktuar rrjedhjen dhe nëse kjo ka qenë më pas shkaku i shpërthimit.

Të Fundit