Për vitin 2025, sigurimi i makinës nuk do të kushtojë më njësoj për të gjithë. Drejtuesit problematikë të mjeteve, të cilët kanë historik negativ me aksidentet, do të paguajnë më shumë për sigurimin e makinës.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në Shtator 2024 ka miratuar rregulloren e re për llogaritjen e primit të sigurimit, ku çmimet që drejtuesit e mjeteve do të paguajnë për sigurimin e detyrueshëm do të diferencohen bazuar në disa faktorë risku.
Sipas rregullores që hyri në fuqi nga 1 Janari 2025, në përllogaritjen e primit të sigurimit përveç historikut të aksidenteve do të merret në konsideratë edhe Fuqia motorike, mosha e shoferit, eksperienca e tij në drejtimin e makinës, përdorimi i mjetit nga një subjekt apo nga një individ, qarku i regjistrimit të mjetit si dhe vjetërsia e makinës.
Vlerësimi i këtyre rreziqeve vulos edhe sigurimin e ri që do të paguajnë drejtuesit e mjeteve ketë vit.
Moshat e reja, eksperienca e ulët apo makina e vjetër konsiderohen të gjithë rreziqe që shtrenjtojnë siguracionin.
Po ashtu në rregullore thuhet se vetë shoqëria e sigurimit mund të zbatojë edhe faktorë të tjerë risku, përveç atyre të parashikuara.
Formula e përllogaritjes së primit të sigurimit duke marrë në konsideratë edhe rreziqet e sipërcituara është bërë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, dhe në bazë të kësaj formule kompanitë e sigurimit do të vendosin vetë tarifat e primit të sigurimit, dhe ia vë në dispozicion AMF-së 30 ditë para se t’i aplikojë ato.
Nëpërmjet këtij sistemi bonus-malus ku primi do të vendoset në bazë risku synohet që të rritet përgjegjshmëria e drejtuesve të mjeteve.
Në bazë të të dhënave të fundit të INSTAT, për muajin Nëntor të 2024, aksidentet rrugore në 90 % të rasteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit.
Numri më i lartë i aksidenteve, në këtë periudhë, është kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç, duke zënë 26,5 % të numrit të aksidenteve gjithsej.