Shkurtohen 14 000 vende pune, pagat e luftës rrezikojnë të digjen !

Në aktivitetin e biznesit, pandemia nuk ka shënuar efekte të forta negative, pasi në krahasim me vitin e  kaluar numri i çregjistrimeve ka qenë më i ulët. Lajmin e bën të ditur , Drejtorja e Tatimeve, Delina Ibrahimaj e cila ka komentuar të dhënat e 8-mujorit 2020. Por, megjithatë pasojat kanë nisur të shfaqen tek sipërmarrjet e mëdha, të cilat kanë  reduktuar stafet, kryesisht gjatë muajve të  verës.

“Punësimi në biznesin e vogël ka ardhur në rritje në muajin korrik, në qershor.  Nga ana tjetër kemi pasur një reduktim të punësimit te biznesi i madh me rreth 14 mijë persona. Reduktimi vjen  në sektorët e shërbimit të cilët janë të lidhur me kontrata porositëse, që subjektet mund të kenë me biznese jashtë”, shprehet Delina Ibrahimaj.

Ndërkohë sa i përket fondit të  pagave të luftës, ai mbetet ende aktiv për 1500 individë, të  cilat duhet të aplikojnë deri në 25  shtator.

“Janë 1500 individë, 1300 për paketën e dytë dhe 256 për paketën e parë të cilët ende nuk e kanë korrigjuar llogarinë e tyre bankare. Ne patëm bërë një njoftimin për përfundimin e mundësisë për të korrigjuar llogarinë bankare  në muajin gusht… Jemi në pritje ende për pak ditë. Afati është 25 shtatori”, thotë drejtorja e Tatimeve.

Sipas Ibrahimajt, procesit tashmë po i vjen fundi dhe një arsye pse këta individë nuk paraqiten lidhen me qëndrimin e tyre jashtë vendit.

Të Fundit