Shkuan për të blerë Land Rover-in në Dhërmi, por tentuan ta vjedhin, arrestohen 25-vjeçari dhe 17-vjeçarja

Një 17-vjeçare dhe një 25-vjeçar përfunduan në pranga pasi tentuan të vidhnin një automjet në Dhërmi, duke përfituar nga mungesa e pronarit.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 30 prillit. Sipas hetimeve, dy të rinjtë udhëtuan drejt Dhërmiut me një automjet “Benz”, me pretendimin për të blerë makinën që ishte në përdorim nga një shtetas në Tiranë.

Por, pasi mbërritën në vend, ata shfrytëzuan mungesën e pronarit dhe ndryshuan plan. 17-vjeçarja ndezi “Land Rover”-in dhe u largua pa lejen e tij, ndërsa 25-vjeçari dyshohet se e ndihmonte nga pas. Pasi u njoftua për rastin, Policia organizoi menjëherë ndërhyrjen dhe arriti të lokalizojë automjetin. Gjatë ndjekjes, vajza nuk iu bind urdhrit për ndalim dhe, në tentativë për t’u larguar, kreu shumë manovra dhe përplasi mjetin duke e dëmtuar atë

Ndërkohë, automjeti “Benz” me të cilin kishin shkuar në Dhërmi u përplas në zonën e Palasës dhe u braktis. Bashkëpunëtori 25-vjeçar u kap më pas në lagjen “Kushtrimi” në Vlorë dhe përfundoi në pranga. Policia sekuestroi të dy automjetet, si “Land Rover”-in e vjedhur, ashtu edhe makinën e autorëve.
25-vjeçari akuzohet për “vjedhje të mbetur në tentativë”, “mosbindje ndaj Policisë” dhe “largim nga vendi i aksidentit”, ndërsa 17-vjeçarja për “vjedhje në tentativë”, “drejtim të parregullt”, “shkatërrim prone” dhe “mosbindje ndaj Policisë”.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit
Himarë/ Tentuan të vidhnin një automjet në Dhërmi, ndërhyrja e shpejtë e Policisë parandalon vjedhjen. Arrestohen 25-vjeçari dhe një 17-vjeçare, bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale. Sekuestrohen dy automjete (njëri i autorëve dhe automjeti tjetër që tentuan të vidhnin). Shërbimet e Policisë, pas njoftimit të marrë se në Dhërmi ishte vjedhur një automjet tip “Land Rover”, organizuan punën, ku falë reagimit të shpejtë bënë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e automjetit.
Drejtuesja e automjetit nuk iu bind urdhrit të Policisë dhe, gjatë manovrave për t’u larguar, ka shkaktuar dëmtime në automjetin e vjedhur. Në përfundim të veprimeve, shtetasi N. Xh., 25 vjeç, banues në Durrës, u arrestua për veprat penale: “Vjedhje e mbetur në tentativë”, kryer në bashkëpunim, “Mosbindje ndaj urdhrit të Policisë” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”, ndërsa 17-vjeçarja u arrestua për veprat penale: “Vjedhje e mbetur në tentativë”, kryer në bashkëpunim, “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, “Shkatërrim i pronës” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të Policisë”.
Nga hetimet paraprake rezulton se, më datë 30.04.2026, në orët e mbrëmjes, dy shtetasit kishin shkuar në Dhërmi me një automjet tip “Benz”, fillimisht me qëllim blerjen e një automjeti tip “Land Rover”, në përdorim nga një shtetas banues në Tiranë. Duke përfituar nga mungesa e pronarit, 17-vjeçarja kishte ndezur automjetin dhe ishte larguar pa lejen e tij.
Po nga hetimet rezultoi se 17-vjeçarja, e cila kishte marrë automjetin “Land Rover”, kishte bashkëpunuar me një 25-vjeçar, i cili u kap në lagjen “Kushtrimi”, në Vlorë, ndërsa automjetin me të cilin kishte shkuar në Dhërmi e kishte përplasur në Palasë dhe e kishte braktisur. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjetet, automjeti që u tentua të vidhej dhe automjeti i autorëve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Të Fundit