Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, siguroi qytetarët se me nisjen e punës së Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm të Apelit këtë të mërkurë, shërbimi i gjykatave në vend përmirësohet ndjeshëm.
Gjatë një konference për mediat këtë të mërkurë, Llagami, tha se krijimi i një Apeli të vetëm në Tiranë, do të bëjë që mos të dështojë asnjë seancë gjyqësore dhe se qytetarët do të marrin përgjigje për problematikën e tyre ditën që do të shkojnë në procesin gjyqësor.
Ajo shtoi se nuk ka rëndësi sa larg ndodhet gjykata nga qyetatari, por sa efikas është shërbimi që u jepet.
“Këshilli i Lartë Gjyqësor po merr masa si ta mbështesë këtë gjykatë. Unë nuk dua t’i përmend se kjo do të jetë te takimi i radhës. Ajo që është e rëndësishme është që sot që ne do të fillojmë gjykimet në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, nuk do të dështojë asnjë seancë. Sot qytetari do të shërbeht më mirë se në ditën që do lejë seancën do të marrë shërbim. Kjo është e rëndësishme për qytetarin, jo ku ndodhet gjykata. E kam thënë dhe publikisht, gjykatën mund ta kishim shumë metra afër shtëpisë dhe nuk mund të merrnim shërbim”, tha Llagami.
Kujtojmë se harta e re gjyqësore do të funksionojë me 16 gjykata në total, 12 të Shkallës së Parë, 1 Gjykatë Apeli dhe 2 gjykata Administrative. KLGJ shkriu 18 gjykata, duke reduktuar gjykatat e Apelit në një të vetme në Tiranë, nga 5 gjykata Administrative do jenë në vetëm dy, në kryeqytet dhe në Lushnje, ndërsa nga 22 që ishin, me hartën e re, nga 1 shkurti do të jenë vetëm 13 gjykata të Shkallës së Parë.