Shijak, kapet 32-vjeçari i dënuar me 10 vjet burg për dhunë seksuale ndaj të miturve

Një shtetas i shpallur në kërkim për dhunë seksuale ndaj të miturëve është vënë në pranga nga Policia e Shijakut, pas një operacioni të bazuar në inteligjencë policore.

Sipas policisë, 32-vjeçari Fatjon Hoxha ishte dënuar në vitin 2024 me 10 vjet burgim për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë ndaj të miturëve të moshës 14-18 vjeç.”

Në kohën kur ka ndodhur vepra autori ka qenë në moshën 28-vjeçare dhe dyshohet se ka dhunuar dhe ka detyruar një 16-vjeçare të kryejë marrëdhënie seksuale me të pa dëshirën e saj.

Njoftimi i policisë

“Kapet në fshatin Sallmone të Shijakut dhe vihet në pranga 1 shtetas në kërkim, i dënuar me 10 vjet burgim.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Shijak, në vijim të kontrolleve të kryera  bazuar në inteligjencën policore, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, kapën dhe ndaluan shtetasin Fatjon Hoxha, 32 vjeç, banues në Shijak.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, me vendimin e datës 21.11.2024, e ka dënuar me 10 vjet burgim, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Të Fundit