Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka reaguar në Komisionin për Edukimin në lidhje me sherrin në shkollën “Andon Zako Çajupi”, në të cilin u përfshinë edhe dy mësuese. Kushi tha se u prit verifikimi i ngjarjes nga policia dhe më pas u mor masa për pezullimin nga detyra e tyre.
Ajo tha se duhet të respektohen rregullat dhe nuk mund të hiqet një mësues me “një të rënë të lapsit”. Pasi të dalë raportimi final në lidhje me ngjarjen, Kushi u shpreh se do të merret masë edhe për shkarkimin ose jo të mësueseve.
“U përdor një kohë e caktuar për ta verifikuar ngjarjen me policinë. Jo gjithmonë lajmet në media janë 100% të vërteta. Duhet të respektojmë edhe rregullat. Jo me një të rënë të lapsit mund të hiqet një mësues. Pasi ngjarja të hetohet dhe të kemi raportimi final të marrim masë për shkarkimin etj. etj. Ne duhet të respektojmë institucionet, strukturat që ngremë”, tha Kushi./tvklan.al