Sherri në lokalin e natës në ish-Bllok, pezullohet nga detyra polici i përfshirë

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka pezulluar nga detyra policin që ishte në mesin e personve, të cilët orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune, u konfliktuar me sende të forta.

Sipas AMP, Procedimi penal në ngarkim të punonjësit të policisë, N/Komisar D.N., me detyrë Specialist për ekzekutimin e vendimeve penale dhe armatimit pranë Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë, ka filluar pasi më datë 09.09.2023, rreth orës 02:00, gjatë qëndrimit të tij në ambientet e një lokali në zonën e ish-Bllokut Tiranë, pas përfshirjes në një konflikt fizik, për motive të dobëta, mes disa shtetasve që ishin nën ndikimin e pijeve alkolike, ai ka goditur me sende të forta duke i shkaktuar lëndime disa personave.

Pas marrjes së ndihmës së parë dhe mjekimit në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare, pajisjes me vendimet përkatëse të ekspertimit mjeko-ligjor dhe marrjes së ndihmës së parë mjekësore, shtetasit janë larguar në banesat e tyre, ndërsa provat në vendngjarje i janë nënshtruar ekspertimit teknik vlerësues.

Vijojnë hetimet për individualizimin e përgjegjësisë penale të gjithësecilit prej personave të përfshirë në këtë konflikt, apo identifikimin e personave të tjer.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kanë filluar hetimin administrativ për “Shkelje të rëndë” të Rregullores së Disiplinës së Policisë së Shtetit për punonjësin e policisë, N/Komisar D.N. dhe është bërë pezullimi nga detyra i këtij punonjësi.

Të Fundit