“Shefit jepi një kafe e mbylle këtë punë”, dosja e SPAK për dy policët në Orikum, si u dorëzuan 2.7 milionë lekët

Dy punonjës policie në Orikum dyshohet se kërkuan 3.5 milionë lekë të vjetra për të mbyllur një çështje penale dhe për të mos regjistruar procedim ndaj një qytetari, pas një konflikti fizik me kolegun e tij. Sipas dosjes së SPAK, shuma e kërkuar u ul në 2.7 milionë lekë të vjetra, të cilat kallëzuesi pretendon se i dorëzoi në ambientet e policisë.

Në dosjen hetimore ndaj Daniel Likskëndajt, i prezantuar si shef i krimeve, dhe Afrim Ferrajt, punonjës policie i zonës, zbardhet dëshmia e shtetasit Everest Basho, i cili pretendon se u kërcënua me burg për veprën penale të pengmarrjes, pas një konflikti fizik me një koleg nga Kosova.

Sipas kallëzuesit, Afrim Ferraj i kishte kërkuar t’i jepte shefit të krimeve një “kafe” për të mbyllur çështjen, duke i thënë të mos fliste me askënd për atë që kishte ndodhur.

“Afrimi i tha që jepi shefit një kafe dhe mbylle këtë punë, por nuk duhet të bisedosh jashtë me asnjë njeri, kur të dalësh që këtej”, thuhet në dosje.

Basho ka deklaruar se, pasi i është kërkuar shuma prej 3.5 milionë lekësh të vjetra, i ka shpjeguar punonjësit të policisë se kishte vetëm 2.7 milionë lekë, të cilat i kishte kursyer nga pagat e punës.

Sipas dëshmisë, Ferraj ka dalë nga zyra për të biseduar veçmas me shefin e krimeve, Daniel Likskëndaj, dhe pas kthimit i ka komunikuar se çështja do të mbyllej me shumën që kishte në dispozicion.

“Afrimi doli nga zyra e tij dhe i tha të priste sa të bisedonte me shefin. Pasi folën veçmas erdhi dhe i tha që Ok, do ta mbyllim me aq”, përshkruhet në dosje.

Sipas kallëzimit, Everest Basho kishte punuar nga qershori deri më 8 shtator 2025 si elektricist në një biznes privat në Palasë, në pronësi të shtetasit Gentjan Kole.

Ai punonte në lokalin “Tiki Bar”, ndërsa kryente edhe detyrën e shoferit të furgonit për transportimin e punonjësve të kompanisë “Miku” sh.p.k., e cila merrej me mirëmbajtjen e vilave në “Green Cost”.

Më 8 shtator 2025, rreth orës 16:30, gjatë transportimit të punonjësve nga Palasa drejt Orikumit, Basho është konfliktuar me një kuzhinier nga Kosova, të quajtur Vigan.

Sipas deklarimit të tij, kuzhinieri e kishte ofenduar disa herë dhe, pas një debati verbal, konflikti kishte kaluar në përplasje fizike. Një tjetër punonjës kishte ndërhyrë për t’i ndarë, ndërsa më pas të dy ishin pajtuar.

Basho ka deklaruar se, pasi kishte mbërritur në banesën ku qëndronte në Orikum, pronari Gentjan Kole e kishte goditur me pëllëmbë, pa i dhënë shpjegime.

Më vonë, ndërsa ndodhej në një lokal në Orikum, ai është telefonuar nga një person që është prezantuar si punonjës policie dhe i ka kërkuar të paraqitej në stacion, pasi ndaj tij ishte bërë kallëzim.

Sipas dosjes, pasi ka pritur rreth dy orë në Stacionin e Policisë Orikum, Basho është takuar me Afrim Ferrajn dhe Daniel Likskëndajn.

Ferraj është prezantuar si punonjës policie i zonës, ndërsa Likskëndaj si shefi i krimeve.

Basho ka deklaruar se është dërguar në zyrën e Likskëndajt, i cili i ka thënë se ndaj tij ishte bërë kallëzim penal për goditjen e shtetasit nga Kosova.

Sipas kallëzuesit, shefi i krimeve i ka thënë se akuzohej për pengmarrje, pasi kishte ndaluar furgonin në rrugë gjatë konfliktit.

Likskëndaj, sipas deklarimit të Bashos, i kishte thënë se pengmarrja ishte vepër e rëndë penale dhe dënohej nga 7 deri në 10 vite burg.

Basho ka pretenduar se i kishte shpjeguar se nuk kishte më konflikt me Viganin, pasi ishin pajtuar, por shefi i krimeve kishte këmbëngulur se çështja ishte e rëndë.

Gjatë bisedës, sipas kallëzimit, Likskëndaj e kishte pyetur edhe se çfarë pune bënin prindërit e tij.

Në dosje përshkruhet edhe mënyra se si dyshohet se janë dorëzuar 2.7 milionë lekët e vjetra.

Pasi është pranuar shuma, Everest Basho ka telefonuar shtetasin Klejvis Mino, me të cilin ndante dhomën, duke i kërkuar t’i sillte paratë në Stacionin e Policisë Orikum.

Sipas kallëzimit, rreth 15 minuta më vonë, Klejvis Mino ka mbërritur me çantën ku ndodheshin paratë.

Basho ka deklaruar se Afrim Ferraj i ka dhënë udhëzime për mënyrën e dorëzimit të shumës.

“Afrim Ferraj, më tha që merr lekët e mbështilli, në një fletë formati të bardhë dhe vendosi poshtë çantës së shefit Daniel Likskëndaj dhe ik”, thuhet në dëshminë e tij.

Sipas kallëzuesit, Daniel Likskëndaj kishte një çantë të zezë me rrip të zi, e cila mbahej në krah.

Ai ka deklaruar se i ka mbështjellë paratë me një fletë të bardhë dhe i ka vendosur poshtë çantës së shefit të krimeve, në prani të të dy punonjësve të policisë.

Një tjetër detaj i dosjes lidhet me veprimet që dyshohet se ka kryer Daniel Likskëndaj pas dorëzimit të parave.

Sipas kallëzimit, shefi i krimeve ka marrë dy deklarimet e dhëna për konfliktin, i ka grisur përpara Everest Bashos dhe më pas i ka hedhur në koshin e mbeturinave.

Kallëzuesi ka deklaruar se Likskëndaj i kishte thënë se çështja do të mbyllej, pasi personat e përfshirë në konflikt ishin pajtuar dhe se asgjë nuk do të regjistrohej në sistem.

Gjithashtu, sipas Bashos, shefi i krimeve i kishte thënë se do ta telefononte pas tri ditësh për të verifikuar nëse ishte pajtuar me Viganin, por kjo telefonatë nuk ishte kryer.

Në përfundim të hetimeve për këtë çështje, Prokuroria e Posaçme paraqiti sot pretencën ndaj dy ish-punonjësve të policisë në Orikum, të akuzuar për korrupsion. Prokurori Elvin Gokaj kërkoi dënimin me nga 2 vite burg për ish-shefin e krimeve, Daniel Likskëndaj, dhe specialistin e zonës së policimit në komunitet, Afrim Ferraj, si dhe heqjen e së drejtës për ushtrimin e profesionit për 3 vite për secilin. Ndërkohë, për qytetarin Everest Bashaj, prokurori kërkoi dënimin me 8 muaj burg

Të Fundit