Senati amerikan miratoi të enjten projektligjin emergjent për 8.3 miliardë dollarë për të luftuar virusin COVID-19.
Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi projektligjin të mërkurën. Fondi i emergjencës vjen ndërsa Shtetet e Bashkuara po njoftojnë viktimën e 11 të shkaktuar nga virusi vdekjeprurës, një burrë i moshuar pranë Sakramentos në Kaliforni.
Rasti i vdekjes në Kaliforni bëri që guvernatori Gavin Newsom të deklaronte gjendjen e jashtëzakonshme në atë shtet si rezultat i mundësisë së përhapjes së virusit.
Vdekja e fundit u njoftua vetëm disa orë pasi ndërroi jetë personi i dhjetë nga koronavirusi në shtetin Uashington, ku kanë ndodhur të gjitha rastet e vdekjeve deri tani. Jeff Dunchin është zyrtar i shëndetësisë në kontenë King në Siatëll të shtetit Uashington.
“E kuptojmë stresin që sjell kjo situatë kaq e pasigurt. Ka shumë gjëra që janë të panjohura për ne dhe nuk i kuptojmë për këtë virus. Se si po shpërndahet, efektet që shkakton sëmundja dhe si transmetohet. Por po bëjmë më të mirën për të ofruar këshilla për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e komunitetit tonë dhe të personelit mjekësor që po kujdesen për pjestarët e komunitetit tonë.”
Shumë prej viktimave ishin të moshuar dhe jetonin në azilin e pleqve. Ekspertë të shëndetësisë thonë se të moshuarit janë kryesisht më të rrezikuarit.Shteti i Uashingtonit dhe ai i Floridës po ashtu kanë deklaruar gjendjen e emergjencës si rezultat i virusit.
Të enjten autoritetet bënë të ditur se numri i rasteve të personave të prekur nga koronavirusi në shtetin e Nju Jorkut është dyfishuar duke arritur në 22.
Sipas njoftimeve të një dite më parë nga Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve CDC, në Shtetet e Bashkuara raportohet për 80 raste me të infektuar nga COVID-19 në 13 shtete. CDC njofton se 24 raste janë të lidhura me udhëtimet ndërsa në 16 raste virusi është transmetuar nga një person tek tjetri.
Italia, vendi i goditur më rëndë në Evropë ka mbyllur shkollat dhe universitetet në përpjekje për të luftuar përhapjen e koronavirusit.
Autoritetet në Zvicër thonë se një grua 74 vjeçare, e infektuar nga virusi ka ndërruar jetë, duke u bërë rasti i parë i konfirmuar i vdekjes në atë vend. Deri mesditën e së mërkurës, Zvicra kishte 58 raste të konfirmuara të individëve të infektuar.
Kryeministri japonez Shinzo Abe thotë se vendi i tij do të vërë në karantinë 14 ditore të gjithë udhëtarët që vijnë nga Kina dhe Koreja e Jugut, ndërsa ai vend konfirmon për mbi 1 mijë raste të infektuarish./VOA