Policia e Shtetit ka publikuar planin e detajuar të masave për sezonin turistik veror 2025, i cili synon garantimin e rendit, sigurisë publike dhe menaxhimin e fluksit turistik në të gjithë vendin, me theks të veçantë në zonat bregdetare, liqenore dhe turistike.
Në njoftimin zyrtar për mediat bëhet me dije se kontrolle të shtuara do të ketë edhe në kufi, teksa shtojnë se do të ketë shtimin e sporteleve dhe burimeve njerëzore në Pikat Kufitare, me qëllim menaxhimin e fluksit turistik.
Blutë theksojnë se deri më 15 shtator, do të kufizohet qarkullimi i mjeteve të rënda për transport mallrash në fundjavë dhe në ditët e pushimit zyrtar.
Njoftimi i plotë:
Për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë sezonit veror 2025, Policia e Shtetit ka hartuar dhe është duke zbatuar një plan të detajuar masash, i cili synon:
Sigurinë në zonat bregdetare, liqenore dhe lumore;
Lehtësimin e qarkullimit në pikat e kalimit kufitar;
Parandalimin e aksidenteve rrugore dhe veprimtarive kriminale;
Zbatimin e orarit të ndalimit të muzikës;
Mbrojtjen e mjedisit dhe zonave turistike.
Ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit shërbimi 12-orësh do të aplikohet vetëm në zonat bregdetare. Në ndihmë të policive vendore do të dërgohen shërbime shtesë të cilat do të kompensohen sipas legjislacionit përkatës.
Në funksion të planit janë vënë në dispozicion:
Dhjetëra automjete dhe motomjete për rritjen e gatishmërisë dhe reagimit të shpejtë;
Punonjës policie me biçikleta që patrullojnë në plazhe, për forcimin e policimit komunitar dhe për t’iu ofruar ndihmë pushuesve;
Njësia Policore Detare për kontrollin dhe ndëshkimin e lundrimeve të rrezikshme brenda zonave të ndaluara;
Dronë që do të përdoren nga shërbimet policore për kontrollin e perimetrit të sigurisë në plazhe, si dhe për evidentimin dhe ndëshkimin e shkeljeve rrugore.
Policia Kufitare ka marrë masa për shtimin e sporteleve dhe burimeve njerëzore në PKK, me qëllim menaxhimin e fluksit turistik.
Do të ketë shtim të kontrollit në kufirin e gjelbër dhe në kufirin blu, për të parandaluar krimin kufitar dhe kalimet e paligjshme.
Policia Rrugore, me pajisjet inteligjente, dronët dhe alkooltestuesit, do të jetë 24/7 në të gjitha akset rrugore kombëtare dhe në qendrat e banuara.
Njëkohësisht, janë shtuar patrullat në zonat turistike për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe për garantimin e lëvizjes së lirë të automjeteve.
Nga 16 qershori deri më 15 shtator 2025, do të kufizohet qarkullimi i mjeteve të rënda për transport mallrash në fundjavë dhe në ditët e pushimit zyrtar.
Për të zbatuar dhe përmbushur sa më mirë masat e përcaktuara në planin e masave, strukturat vendore të Policisë po bashkëpunojnë me:
agjencitë turistike për destinacionet turistike, për pajisjen e mjeteve lundruese me dokumentacionin përkatës dhe zbatimin me rigorozitet të rregullave të lundrimit dhe masave të sigurisë;
kryetarët e fshatrave dhe pushtetin vendor;
vrojtuesit e plazheve, emergjencat civile dhe ato shëndetësore, si dhe me shërbimet zjarrfikëse.
Ndërkohë, nga shërbimet e Policisë po vijon operacioni “Plazh i lirë”, për lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të paligjshme.
Gjithashtu, do të ushtrohen kontrolle për zbatimin e orarit të muzikës dhe ndëshkimin e shkelësve të nivelit të zhurmës. Tashmë, punonjësit e Policisë janë pajisur me aparate të matjes së zhurmave.
Ndërkohë, krahas planit të masave, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar ngritjen e grupeve të monitorimit të shërbimeve në terren, për zbatimin rigoroz të Kodit të Etikës, nga çdo punonjës policie, në komunikim dhe në veprim.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë dhe të denoncojnë çdo paligjshmëri në numrin pa pagesë 112.