Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë në Menkulas të Devollit.
Gazetarja e Klan News ka siguruar intervista me banorët e zonës dhe pronarin e lokalit ku dy të moshuarit u konfliktuan me njëri tjetrin.
Pronari i lokalit Ervis Begolli u shpreh se debati nisi për lojën me letra dhe të dy filluan të shtyheshin me njëri tjetrin. Sipas tij ngjarja ka ndodhur pasi ata kanë shkuar në banesën e të plagosurit.
“Autori dhe i plagosuri po luanin me letra në lokal. Kanë filluar debatin me njëri tjetrin për lojën me letra. Kemi ndërhyrë fillimisht për ti qetësuar dhe të dy kanë vazhduar lojën. Pas 30 min filluan debatin sërish duke u goditur dhe shtyrë me njëri tjetrin. Sërish ndërhymë duke i ndarë. Sot morrëm vesh që konfikti ka vijuar në banesën e të plagosurit dhe na ka ardhur shumë keq. Të dy kishin pirë disa gota dhe ishin të dehur”-tha Begolli.
Ndërsa banorët e zonës i përshkruajnë si njerëz të mirë e jo të sherrit. Ata theksojnë se konflikti ka ndodhur pasi të dy kanë qenë të dehur.
“I njohim, fshatarë i kemi. Njerëz të mirë, s’janë të sherrit, ku dimë ne momenti. Kurrë s’janë zënë me asnjeri në fshat. Luanin me letra, s’dimë gjë tjetër”-tha një nga banorët e fshatit.
“Për inat të lojës, bënë sherr pastaj”-përfundoi një tjetër.
Klan News