Kuvendi ka miratuar programin e qeverisë me 82 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.
Seanca e parashikuar të zgjaste rreth dy ditë, zgjati vetëm 25 minuta.
Me 82 vota pro, mazhoranca në Kuvend miratoi sot programin qeverisës dhe përbërjen e re të kabinetit të propozuar nga Kryeministri Edi Rama. Seanca plenare u zhvillua në një atmosferë të tensionuar, pasi opozita bllokoi foltoren, duke penguar zhvillimin e debateve parlamentare.
Përballë mungesës së mundësisë për diskutim, shumica kaloi në mënyrë të drejtpërdrejtë në votim, duke garantuar me votat e saj miratimin e programit dhe emërimet e reja në qeveri.
Deputetët e opozitës protestuan përmes thirrjeve kundër qeverisë.
Miratimi i kabinetit të ri vjen në një moment ku tensionet mes mazhorancës dhe opozitës janë rritur ndjeshëm, veçanërisht në lidhje me rolin e anëtares më të re të kabinetit, Diella, dhe projektin e saj për zhvillimin e inteligjencës artificiale në institucionet shtetërore.
Kjo gjë erdhi pas tensioneve dhe kundërshtimet e opozitës për të dëgjuar kryeministrin Rama dhe ministren “Diella”.
Tensioni në Kuvend nisi pasi kryeministri i “dha fjalën” ministres digjitale. Deputetët e opozitës e kundërshtuan këtë gjë duke vijuar ta cilësojnë “Diellën” si antikushtetuese.
Për këtë arsye, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, kërkoi që procesi të kalonte direkt në votim.
Teksa mazhoranca po votonte, deputetët e opozitës hodhën drejt kreut të kuvendit dhe kryeministrit rregulloren, që për ta po shkelet.