Salianji:Vetëm të zeza për Shqipërinë këto kohë, dhe në fund një non grata që …

Deputeti i PD, Ervin Salianji, ka mbajtur fjalën e tij në Kuvendin e Shqipërisë, ku ka theksuar se këto kohë në vendin tonë ka patur vetëm lajme të zeza si rritja në nivel rekord e borxhit publik , korrupsioni, mungesa e ngrohjes në shkolla e të tjerë.

Nga foltorja e Kuvendit, Salianji u shpreh ndër të tjera se Shqipëria është kthyer në një qendër operacionale të drograve të forta.

“Këto kohë ka pasur vetëm lajme të zeza për Shqipëri. Rekord niveli i borxhit publik në 30 vitet e fundit, rekord negativ dhe marrja e tatëpjetës në perceptimin e publikut për përhapjen e korrupsionit. TI e pozicionin Shqipërinë keq e më keq në këtë drejtim. Pamundësia për tu ngrohur dhe që fëmijët e këtij vendi të shkojnë në shkolla normalisht, aq sa detyron që për shkak edhe të kësaj të detyrohemi të mbyllim shkollat dhe të lëmë fëmijët në shtëpi. Nga ana tjetër kemi një betejë jo për qytetarët, e përfaqësuesit më të lartë të PS-së në Bashkinë e Tiranës i cili për interesa krejtësisht meskine dhe personale, duke nxitur ose jo (të presim hetimet) edhe shpërthime tritoli. Ashtu siç po ndodh këtu, ndodh edhe në vende të tjera. Shqiptarët vriten në Ekuador, kjo për shkak se Shqipëria është kthyer në një qendër operacionale të drogave të forta. Shqiptarë gjithashtu vriten edhe në Belgjikë”, tha ndër të tjera Salianji.

Deputeti i PD-së nuk nguroi që të sulmojë nga Kuvendi edhe ish-kryeministrin Berisha. Ai tha se një person i shpallur non grata bën sikur bën opozitë.

“Është nisur një betejë për një person që është shpallur non grata. Këta që janë përgjegjësit e 30 viteve dhe tani na shfaqen si shpëtimtarë. Prandaj qytetarët shqiptarë janë të qartë për t’u ndarë njëherë e mirë nga e shkuara që nis këtu dhe përfundon në disa foltore të tjera”, u shpreh ai.

Të Fundit