Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, të cilit nuk iu pranua regjistrimi si kandidat për zgjedhjet për kreun e partisë, ka reaguar ashpër pas deklaratave të kryetarit të PD-së Sali Berisha mbi garën e brendshme dhe kriteret e pjesëmarrjes.
Salianji e akuzon Berishën për kontroll të partisë dhe lidhje me pushtetin ndërsa e cilëson si “plakun e lumtur në azilin e Ramës”.
Salianji deklaron se ai vetë u përball me pasoja ligjore dhe burg, ndërsa sipas tij Berisha “përfiton nga sistemi”, duke e akuzuar për bashkëpunime dhe interesa të përbashkëta me pushtetin. Ai tha gjithashtu se ndalimi i kandidimit të tij dhe i figurave të tjera është pjesë e një procesi të kontrolluar politikisht.
“Sali “kolltuku”, plaku i lumtur në azilin e Ramës! Unë bëj burg, ti Sali bën lek nga regjimi i Ramës! Ty Sali, të nxjerr Rama nga burgu se i duhesh, mua më fut në burg Rama se e mund, por për mjeranin e azilit të Ramës që je kthyer ti, unë që bëj burg “shitem”. Ti Sali për lek shet edhe shpirtin. Nuk të mjaftojnë koncesionet, lejet, kullat, tenderat, minierat, hidrocentralet, parqet, bregdeti dhe malet që po i shqyen bashkë me Ramën; dhe për të përfituar këto, nuk ke asnjë merak të legenosesh! Sali “kolltuku”, ti sa herë flet, legenosesh; por të jesh kaq i ulët moralisht në moshën 82-vjeçare është gëzimi më i madh për çdo njeri që s’të do mjafton të të shohë si je katandisur dhe e merr “satisfaksionin” e jetës. Tani, meqë legenosesh me burgun, unë nuk ia fal as Ramës dhe as ty 1 vit heqje lirie, as heqjen e mandatit dhe as ndalimin e kandidimit. Njësoj si Rama edhe ti: ai më ndaloi kandidimin për deputet, ti për kryetar. I vetmi njeri që është marrë në patronazh nga Rama je ti. Të ka parkuar në azil luksi e të jem ushqimin qe do ti, paratë! Je me halle me drejtësinë dhe të mbajnë peng, prandaj nuk lejon garë. Nuk ke bërë asnjë ditë burg, ndërkohë që i vetmi deputet dhe zyrtar i PD që ka bërë burg pa pasur asnjë ditë pushtet jam unë, me dakordësinë e regjimit Rama–Berisha. Por ti njihesh si mosmirënjohës, që e ha fjalën dhe gjithçka që ke bërë vetë ia ngjit kundërshtarit. Të mban Rama në azil luksi, duke të dhënë garanci që ti nuk prekesh nga ligji; prandaj nuk lejon garë. Por do çmontohesh Sali, do çmontohesh si kambalec i Edi Ramës, do çmontohesh si segmenti i keqpërdorur dhe i blerë nga Edi Rama. Do ju çmontojmë të dyve, e ke marrë rrugën!”, shkruan ndër të tjera Salianji.
Kujtojmë që Berisha u shpreh këtë të shtunë se çdo kandidat duhet të plotësojë kriteret e përcaktuara në rregullore, duke theksuar se nuk mund të lejohet pjesëmarrja e personave që, sipas tij, kanë vepruar kundër partisë. Ai iu referua gjithashtu edhe mospranimit të kandidaturës së Salianjit.



