Shoqata “Asociacioni Kombëtar i Medias dhe Drejtësisë” i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar shfuqizimin e pikës 6 të nenit 166 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me argumentin se kjo dispozitë bie ndesh me Kushtetutën.
Sipas kërkesës, dispozita në fjalë krijon një mekanizëm të privilegjuar për anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA), duke u hapur atyre rrugën për t’u emëruar në nivel apeli pa kaluar procedurat standarde që aplikohen për çdo magjistrat tjetër.
Shoqata argumenton se kjo situatë cenon nenin 18 të Kushtetutës, i cili garanton barazinë para ligjit, pasi krijon një trajtim më të favorshëm për një kategori të veçantë individësh. Ndërkohë, për gjyqtarët dhe prokurorët e tjerë kërkohet konkurrim, vlerësim profesional, si dhe kontroll i pasurisë dhe figurës.
Një tjetër pikë e ngritur lidhet me nenin 136/a të Kushtetutës, i cili përcakton se gjyqtarë mund të bëhen vetëm shtetasit që emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës dhe verifikimeve përkatëse. Sipas Shoqatës, një ligj i zakonshëm nuk mund të krijojë një rrugë alternative që shmang këto kritere kushtetuese.
Po ashtu, në kërkesë theksohet se dispozita bie në kundërshtim me nenin 135 të Kushtetutës, që lidhet me organizimin e pushtetit gjyqësor dhe parimet e profesionalizmit dhe pavarësisë. Sipas Shoqatës, emërimi në Apel pa konkurrim nuk përbën zhvillim normal karriere, por deformon strukturën kushtetuese të sistemit.
Argumentet shtrihen edhe mbi nenin 179/b dhe Aneksin Kushtetues, që rregullojnë procesin e rivlerësimit kalimtar (vetting). Sipas Shoqatës, reforma në drejtësi është ndërtuar mbi parimin që askush nuk mund të jetë pjesë e sistemit pa kaluar filtrat e vettingut.
Në këtë kontekst përmendet edhe neni C i Aneksit të Kushtetutës, sipas të cilit anëtarët e KPA-së gëzojnë statusin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese vetëm gjatë ushtrimit të mandatit. Shoqata argumenton se ky status është i përkohshëm dhe nuk mund të shndërrohet automatikisht në titull magjistrati apo në të drejtë për emërim në gjykatat e apelit.
Përtej aspektit juridik, Shoqata ngre edhe shqetësim institucional. Sipas saj, nëse individë që kanë vendosur për fatin e gjyqtarëve dhe prokurorëve përfitojnë vetë hyrje të drejtpërdrejtë në sistem, krijohet një standard i dyfishtë: rigoroz për të tjerët dhe më i butë për veten.
Në kërkesë paralajmërohet gjithashtu për pasoja në sigurinë juridike. Nëse emërimet bëhen mbi bazën e një norme antikushtetuese, çdo vendimmarrje ku këta gjyqtarë marrin pjesë mund të vihet në diskutim, duke krijuar pasiguri për qytetarët dhe për vlefshmërinë e vendimeve gjyqësore.
Shoqata e lidh këtë çështje edhe me të drejtën për një proces të rregullt ligjor, të garantuar nga neni 42 i Kushtetutës dhe neni 6 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar se qytetarët duhet të gjykohen nga trupa gjyqësore të krijuara dhe të përbëra në përputhje me ligjin.
Në përfundim, Shoqata kërkon nga Gjykata Kushtetuese:
* Shfuqizimin si antikushtetuese të pikës 6 të nenit 166 të ligjit nr. 96/2016
* Pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të kësaj dispozite deri në vendimin përfundimtar
* Shpalljen të paligjshëm të çdo vendimi të KLGJ-së që mund të mbështetet mbi këtë dispozitë për emërimin e anëtarëve të KPA-së në sistemin gjyqësor



