Policia Kufitare në Vlorë ka ndërhyrë pas raportimeve të pushuesve dhe një videoje të dërguar në Policinë e Shtetit, ku shfaqej një mjet lundrues tip Jet Ski që kishte hyrë në afërsi të bregut në zonën e Karaburunit, duke shkelur perimetrin e sigurisë dhe duke rrezikuar jetën e pushuesve.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Triport, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, bënë të mundur konstatimin dhe ndalimin e mjetit lundrues, teksa ai po afrohej pranë molit të peshkimit në territorin e SPK Triport.
Pas ndërhyrjes së autoriteteve, mjeti lundrues Jet Ski u bllokua në pikën e bllokimit të mjeteve lundruese afër SMIL-it, ndërsa drejtuesi i tij, shtetasi E. U., u ndëshkua me masë administrative në vlerën 500.000 lekë të rinj.



