Rrahman Rraja dorëzon mandatin e deputetit: Dështova si prind, i kërkoj tim biri të dorëzohet

Anëtari i Partisë Socialiste Rrahman Rraja ka dhënë dorëheqjen nga mandati i tij si deputet dhe nga politika.

Në deklaratë për mediat, Rraja është shprehur: Nuk kam fjalë për ta shprehur sikletin karshi të gjithë atyre që më kanë besuar gjithë këto vite. Fatkeqësisht unë dështova si prind dhe ndjehem i turpëruar publikisht nga fëmija im. Ju kërkoj ndjesë shokëve dhe kolegëve të grupit parlamentar dhe deklaroj dorëzimin e mandatit të deputetit dhe tërheqjen time nga jeta politike. Ju kërkoj ndjesë atyre që më kanë dhënë votën prej vitit 2000 si kryetar komune dhe prej 2 mandatesh si deputet.

Ju kërkoj ndjesë viktimave të asaj dhune turpëruese për familjen time. I bëj thirrje djalit tim të dorëzohet para drejtësisë. Zoti më dhëntë forcë që ta përballoj këtë dhimbje të madhe dhe jetë që ta shlyej këtë turp që më la mbi shpatulla si gur im bir. Në fund mirënjohje dhe ndjesë edhe kryetarit të partisë dhe kryeministrit, i cili nuk më kishte asnjë borxh për këtë shqetësim kaq të madh publik që i shkaktova.

Ky vendim erdhi pas konfliktit që ndodhi dy ditë më parë në aksin Fushë-Krujë Thumanë ku anëtarë të fisit Rraja dhunuan në mënyrë brutale dy persona nga fisi Maja.

Këta të fundit banorë të Borizanës, kishin denoncuar herë pas here fisin Rraja për aktivitetin e tyre te guroret, pasi sipas tyre shpërthimet në mënyrë të pakontrolluar kishin shkaktuar dëme të mëdha te banesat.

Aktualisht për dhunën janë shoqëruar në polici 8 persona, ndërsa ka shkuar në 6 numri i të shpallurve në kërkim. Një prej tyre është dhe djali i ish-deputetit socialist(Rrahman Rraja) tashmë, Rexhep Rraja.

Të Fundit