Aktori i njohur, Robert Ndrenika ka folur për pjesëmarrjen e tij në seancën në Gjykatën Administrative, në mbështetje të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ku shqyrtohej padia e tij kundër prokurorit Ols Dado.
Aktori e ka cilësuar Veliajn si “djalin e tij shpirtëror”, të cilit ia njeh jetën mirë. Referuar kritikave me të cilat është përballur për veprimin e tij, ai thotë se do të shkonte sërish në seancë nëse do të ishte nevoja.
“Po pse pra reagojnë kështu?! Hë, ma thuaj ti! Njeriu i di vetë gjërat e tij. E kam djalë të adoptuar! Ia njoh jetën mirë dhe ma njeh jetën mirë. E kam si djalin tim. Më lajmëruan njerëz të afërt të Erionit se ishte seanca dhe më pyetën nëse doja të shkoja. Shkova pa u menduar dy herë. E kam bir për shpirt.
E njoh dhe e vlerësoj, ia njoh jetën dhe ma njeh edhe ai timen. Nëse do të ketë sërish nevojë, prapë do të jem aty. Njeriu nuk ka të afërm vetëm prindërit, fëmijët apo motrën e vëllanë. Ka edhe njerëz që i zgjedh vetë rrugës dhe i bëhen të afërt.
Veç të tjerash, Erioni realizoi një ëndërr të madhe timen dhe të shumë artistëve: një teatër të madh, të bukur dhe modern në qendër të Tiranës, që shpejt do të jetë gati.”, ka thënë aktori në një intervistë për media



