Drejtoresha e Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, Eliona Demaliaj e ka cilësuar të nevojshme nisjen e punimeve dhe rikonstruksionin e këtij materniteti.
Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat, drejtoresha Demaliaj shkruan se pjesa që është shembur, ishte mjaft e rrezikshme për nënat dhe të porsalindurit dhe se kishte dalë jashtë funksionit që nga tërmeti i shtatorit të vitit 2019.
Sipas Demaliajt, godina kryesore do të rehabilitohet, do të ruhet fasada dhe gjithë elementet historike të saj.
Fillimi i punimeve për rindërtimin dhe zgjerimin e Maternitetit ‘Mbretëresha Geraldinë’ është një moment shumë i rëndësishëm jo vetëm për ne si staf mjekësor, por së pari për kujdesin dhe shërbimin dinjitoz për nënat e reja dhe fëmijët. Ky projekt ruan autenticitetin e godinës historike dhe rindërtohet dhe zgjerohet shtesa që ishte dëmtuar nga tërmeti. Pjesa e shembur që do të ndërtohet, ishte jashtë funksionit që prej tërmetit të shtatorit, sepse nuk kishte siguri për shkak të dëmtimeve dhe ishte e rrezikshme për të punuar dhe për të mbajtur aty nënat dhe të porsalindurit. Ndërsa godina kryesore do të rehabilitohet, do të ruhet fasada dhe gjithë elementet historike të saj. Ky është një projekt i shumëpritur për ne si staf mjekësor, pasi do të sigurojë kushte dinjitoze për nënat e reja dhe fëmijët që vijnë në jetë në maternitetin tonë por edhe do të dyfishohen kapacitetet, gjë që është mëse e nevojshme.