Falë projektit të mundësuar nga programi “EU4Culture”, zbatuar nga UNOPS, në Muzeun Historik Kombëtar po vijon puna për restaurimin e mozaikut në fasadën kryesore.
Kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Ambasadori Luigi Soreca dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndoqën sot nga afër ecurinë e punimeve të restaurimit të mozaikut.
“I kënaqur të shoh progresin e mirë të programit tonë pas tërmetit ‘EU4Culture’ në zemër të Tiranës. Me Ministren e Kulturës Elva Margaritin ishim dëshmitarë të procesit gjithëpërfshirës të restaurimit në Muzeun Historik Kombëtar, të shpjeguar nga një prej autorëve të mozaikut, Agim Nebiu”, tha ambasadori i BE-së Luigi Soreca.
EU4Culture është një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore të hartuar nga Bashkimi Evropian për sa i përket numrit të monumenteve dhe fondeve të përfshira.