Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha iu përgjigj sot interesimit të gazetarëve lidhur me tarifat e studimit dhe uljen e tyre të mundshme pas zhvillimit në internet të vitit akademik që po lëmë pas. Sipas Hoxhës, tarifat nuk do të ulen.
“Disa studentë kanë kërkuar rishikimin e tarifave për shkak të mospjesëmarrjes në proceset mësimore në auditore, duke konsideruar se institucionet e arsimit të lartë kanë pasur ulje të kostove. Kemi bërë një përllogaritje, jemi të kujdesshëm për interesat që lidhen me studentët dhe familjet e tyre dhe na rezulton se ulja e kostove është fare minimale, 1.5%. Universiteti i Tiranës nuk ka kursyer,” u shpreh z. Hoxha.
Rektori arsyetoi gjithashtu se me zhvillimin e mësimit online kostot e studentëve janë ulur, pasi shumica e atyre që studiojnë në Tiranë vijnë nga rrethet dhe nuk kanë shpenzuar për jetesën në kryeqytet që të marrin pjesë në mësimin në auditore. Hoxha shtoi se për të shmangur këto shpenzime një pjesë e mirë e provimeve të sezonit të dytë po zhvillohen gjithashtu online.
“Një nga prioritetet që do t’i shërbente shumë studentëve tanë është ndërkombëtarizimi i universiteteve përmes lehtësimit të hapjeve të programeve, diplomave apo kërkimeve shkencore të përbashkëta me universitete kryesisht të Bashkimit Europian,” u shpreh rektori i Universitetit të Tiranës.