Kukës | Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar të DVP Kukës kanë siguruar informacione për një rast të falsifikimit të dokumenteve, me qëllim përfitimin, dhe mbi këtë bazë kanë iniciuar një procedim penal në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për dokumentimin e plotë të këtij rasti, si dhe për arrestimin e shtetasve përgjegjës.
Si rezultat i hetimeve disamujore, me metoda proaktive, të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Kukësit, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Regjistri”, si rezultat i të cilit:
-u arrestua shtetasi Xh. S., 57 vjeç, banues në Kukës, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i vulave i stampave dhe i formularëve”;
-u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit A. E., me profesion mjek, dhe A. E., administrator i një agjencie funerale.
Nga provat e siguruara dyshohet se për të përfituar pension më të lartë bazuar në ligjin e kohës, shtetasi Xh. S. ka falsifikuar dokumente, 21 vjet më parë, dhe ka regjistruar brenda trungut të tij familjar (si të bijën), identitetin e një shtetaseje të mitur e cila nuk ekzistonte. Gjithashtu, në vitin 2021, 57-vjeçari ka falsifikuar skedën për vdekjen e kësaj shtetaseje, me qëllim çregjistrimin nga regjistri i Gjendjes Civile.
Për shtetasit A. E. dhe A. E. vijojnë hetimet, me qëllim provimin nësë këta shtetas kanë qenë apo jo të implikuar në nxjerrjen e dokumenteve false që ka përdorur shtetasi Xh. S.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.