Këshilli Bashkiak i Maliqit është mbledhur ditën e sotme për të diskutuar dhe më pas për të votuar projektvendimin për draftin e Reformës Territoriale. Mbledhja ka bërë bashkë të majtë e të djathtë, të cilët në unanimitet kanë votuar kundër këtij drafti. Sipas raportimeve, 21 anëtarë kanë votuar kundër bashkimit, ndërsa vetëm një ka votuar pro.
Ky votim kundër vjen pas mbledhjes së fundit, ku këshilltarët e majtë braktisën mbledhjen, me pretendimin se u nevojitej kohë për t’u njohur me draftin. Në atë mbledhje nuk pati vendimmarrje.
Këtë herë, këshilltarët e majtë kanë votuar kundër, duke shprehur qëndrimin se një bashkim i tillë nuk është në favor të banorëve dhe territorit të Bashkisë Maliq.
Votimi vjen edhe pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Korçë disa javë më parë, ku u diskutua drafti i Reformës Territoriale.
Ndërkohë, edhe banorë të Maliqit, si dhe eksponentë të ndryshëm të politikës lokale dhe përfaqësues të administratës, janë shprehur publikisht kundër kësaj reforme dhe shkrirjes së Maliqit me Korçën.
Në anën tjetër, disa ditë më parë, Këshilli Bashkiak i Korçës votoi pro këtij drafti dhe bashkimit me Maliqin.



