Reagon ish- kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Llagami: Komunikimet mes meje dhe Bushkës të fabrikuara, do ndjek rrugën ligjore

Ish-kryetarja së Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami reagon ndaj raportimeve në media se ajo bashkë me kryetaren e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka bënë pazare për emërimet në sistemin e drejtësisë.

Llagami thotë se komunikimet elektronike mes saj dhe Bushkës nuk kanë ndodhur kurrë, por janë të fabrikuara dhe janë shpërndarë në mënyrë anonime.

Ajo paralajmëron se për gjithë sa ka ndodhur do të ndjekë rrugën ligjore.

Reagimi:

Të nderuar miq, kolegë, bashkëpunëtorë, përfaqësues të medias, qytetarë, e ndiej të nevojshme të reagoj sërish ndaj disa artikujve të publikuar ndaj meje.

Në përmbajtjen e tyre janë publikuar komunikime elektronike me znj. Bushka të cilat nuk kanë ndodhur kurrë por janë fabrikuar, fakt që është lehtësisht i verifikueshëm.

Ato janë shpërndarë në mënyrë anonime në media të ndryshme, nga i njëjti person që në mënyrë të vazhdueshme vitin e fundit, më ka përndjekur në platformat sociale “Linkedin, Facebook”, duke postuar materiale që cenojnë haptazi dhe rëndë figurën dhe imazhin tim.

Ky person ka fabrikuar gjithashtu komunikime imagjinare për ndikime në sistem, për të cilat është proceduar penalisht për “kallëzim të rremë” dhe “falsifikim të dokumenteve”, dhe pezulluar nga KLGJ (gjatë kohës që unë isha kryetare e KLGJ).

Vlerësoj nevojën për të dhënë këtë sqarim, pasi në 5 vjet që kam drejtuar KLGJ, jam përpjekur së bashku me koleget e mi, të krijojmë një model ndryshe qeverisje të sistemit gjyqësor.

Për të gjithë sa sqaroj më sipër, do të ndjek rrugën ligjore.

Të Fundit