Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër qeverinë Kurti për keqmenaxhim të pandemisë së COVID-19.
Me anë të një komunikimi për mediet, ish-kryeministri i vendit Ramush Haradinaj kërkoi që fokusi të vihet tek vaksinimi i popullatës dhe të mos shpërfillet situata në terren, që sipas tij është më keq se në çdo vend tjetër të rajonit.
Ai po ashtu ka kritikuar kandidimin e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për kryetar të komunës së Prishtinës në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
“Qeveria duhet të fokusohet në vaksinim, duhet të sjellë vaksina, të ketë plan për vaksinim, të mos e shpërfillë këtë gjendje në mënyrën se si e ka shpërfillur deri tani dhe si e ka shpërfill me kandidaturën e ministrit të MSH-së për kryetar komune”, tha Haradinaj.
Kreu i AAK-së theksoi se nëse qeveria Kurti nuk shton angazhimin për të menaxhuar siç duhet pandeminë, atëhërë është e udhës që kryeministri të japë dorëheqjen.
“Nëse ky është kualiteti se si do të përballet ai me sfidat që ka Kosova, në këtë rast me pandeminë, më mirë është të japë dorëheqje sot”, tha ai.