Rama: S’më ka uruar për fitoren. Kur u arrit dhe depolitizimi i Skënder Gjinushit e ardhmja është e sigurt – Stop
Aktualitet, Të Gjitha

Rama: S’më ka uruar për fitoren. Kur u arrit dhe depolitizimi i Skënder Gjinushit e ardhmja është e sigurt

TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Akademinë e Shkencave ku ka folur gjatë dhe për reformën e bërë që sipas tij i ka kthyer vendin kërkuesve të vërtetë dhe i ka dekurajuar sharlatanët e shkencës që në një pikë të caktuar arritën deri dhe të flasin në emër të ASH.

Ai përmendi disa nga aspektet që solli kjo reformë, teksa nuk kanë munguar shigjetimet për kreun e Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi.

“Një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm që mundësohet nga reforma e ndërmarrë është dhe përligjja e një marrëdhënie të drejtpërdrejt me universitetet. E pabesueshme që për kaq shumë vite ASH dhe universitet jetuan totalisht të ndara.

Përfshirja e universiteteve garanton edhe të paktën fillimin e ndarjes nga një kohë e cila fatkeqësisht vazhdon, kur titujt akademikë shpërndaheshin si ato dekoratat presidenciale dhe prej shumë vitesh me emrin e Skënderbeut, Naim Frashërit apo Nënë Terezës në një kohë kur aq sa mund të ndjehesh krenar aq mund të ndihesh i poshtëruar kur sheh që të nesërmen merr të njëjtën gjë një usta i tallavasë. Jemi një vit larg nga një ngjarje e rëndësishëm 50-vjetor i themelimit të ASH”, tha Rama.

 

Sipas kryeministrit, sot pranimi i 17 anëtarëve të jashtëm, krijimi i komisioneve të përhershme, hulumtimi në shkenca të reja, ngritja e qendrës së botimeve enciklopedike janë një arsye për të mos e pritur 50-vjetorin e këtij institucioni me kokën ulur dhe pse nuk janë mjaft për ta pritur me kokën lart. “Meqë ra fjala sot kam ardhur dhe për t’i kërkuar profesorit pas mbledhjes mendim për ligjin e ri të medaljeve që është i domosdoshëm për të integruar Shqipërinë në botën e shteteve ku sundon racionaliteti dhe jo irracionaliteti. Dhe jo vetëm për ligjin e ri të medaljeve por edhe të tjera punë që besoj se kjo Akademi është e gatshme t’i marrë përsipër, jo sepse këtu kanë munguar njerëzit e ditur por përkundrazi se ka munguar lidershipi, organizimi dhe dëshira për tua vënë dijen e këtyre njerëzve në dispozicion sfidave të vendit përmes një institucioni serioz dhe unë them që duhet pranuar që nuk është pak, përkundrazi është shumë që në kaq pak kohë inercia e frikshme degraduese, poshtëruese, ia ka lënë vendin një inercie të re të qëndrueshme, përpjekjes për t’u transformuar”, deklaroi Rama.

 

Ai foli më tej për pavarësi të Akademisë së Shkencave. “Dua t’i kthehem për një sekondë momentit kur si qeveri u bindëm për reformën. Nuk kam asnjë aluzion se ligji i miratuar është më i përsosuri i mundshëm, por i ka kthyer vendin kërkuesve të vërtetë dhe besoj se i ka dekurajuar sharlatanët e shkencës që në një pikë të caktuar arritën deri dhe të flasin në emër të ASH. Në fund të fundit ky ishte dhe qëllimi kryesor. Sot kjo akademi bazohet në disa parime.

Për herë të parë Skënder Gjinushi nuk ma ka uruar fitoren e zgjedhjeve. Domethënë pavarësisht se është i kënaqur që unë kam fituar zgjedhjet ka menduar dhe për ata anëtarë që janë të pakënaqur që unë kam fituar zgjedhjet. Duke qenë se janë pakica, për herë të parë është bërë me pakicën. Kështu që nuk besoj se ka efekt më të madh të reformës. Kur u arrit dhe depolitizimi i Skënder Gjinushit e ardhmja është e sigurt.

E ardhmja është e sigurt dhe se për herë të parë anëtarët kanë në dorë çelësat e Akademisë. Vetë Zot, vetë shkop. Mos e keqkuptoni si fakt për t’i ikur përgjegjësisë. Është nder për qeverinë tonë të mbështesë Akademinë në mënyrë sistematike duke rritur çdo vit mbështetjen. barrën e këtij ndryshimi e keni marrë vetë përsipër siç është legjitime por jemi gati ta ndajmë me ju për një pjesë, pa kërkuar asnjëherë asgjë tjetër përveçse së bashku kur të kthejmë kohën nuk lamë pas hijet e turpit në këtë godinë të vlerave më të respektuara dhe më të lavdishme të dijes shqiptare”, deklaroi Rama.

Ai tha më tej se nuk e di nëse ndonjëri nga këta që është sot,  do të kishe pranuar të ishte pjesë e kësaj akademie, ku kjo akademi, nuk ishte ajo që ishte sot.

“Përpjekja për t’u afruar si anëtarë të rinj, tregon se këtu ka rilindur shpresa dhe është shfaqur vullneti i përbashkët i njerëz të dijes. Është përpjekje për rilindje reale e serioze, e prandaj, afirmimi jo vetëm simbolik i përpjekjeve të anëtarëve që i bashkohen Akademisë së Shkencave ka një vlerë, një vlerë të madhe. Dua t’i ndihmoj me një zemër shëndet dhe sukses në këtë përpjekje të tyre, që nga Ardian Vehbiu, një mik i vjetër, armik i dashur. Kemi arsyet të jemi krenar e të jetojmë në kohën e tyre. I siguroj ata që nuk kanë dashur të fitoj zgjedhjet, kjo akademi do e ketë qeverinë më pranë se në të gjithë historinë e pluralizmit, nuk do të thoja në të gjithë historinë e saj se do të bëja një bast të pamundur, por për të gjithë historinë e pluralizmit”, deklaroi kryeministri Rama.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *