Rama shkarkon nga detyra Bledi Çuçin si Ministër të Brendshëm, në vend të tij Taulant Balla

Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar nga detyra këtë të shtunë Ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi. Në një postim në Twitter, Rama njofton se në postin e tij do të emërohet Taulant Balla.

“Të hënën do t’i dorëzoj zyrtarisht Presidentit të Republikës propozimet e mëposhtme! Falenderoj ministrin Bledi Çuçi për punën e tij si gjithnjë korrekte edhe në këtë detyrë dhe uroj që ministri i ri i Brendshëm Taulant Balla, të çojë më tej përpjekjen tonë të palëkundur shtetndërtuese edhe në këtë drejtim”, shkruan Rama në postimin e tij.

 

Në postimin e tij, kreu i qeverisë nuk jep arsyen e shkarkimit të Çuçit si ministër, megjithatë ky vendim vjen në një kohë kur më herët gjatë kësaj të shtune ngjarja e ndodhur në Borizanë, çoi në shkrirjen e Komisariatit të Krujës.

Me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku, e gjithë trupa e niveleve zbatuese dhe drejtuese e Komisariatit do të rinovohet. Përgjegjës si drejtues operacional për çështjet e sigurisë dhe rendit, do të jetë Drejtori i Policisë Tiranë, Tonin Vocaj. Veç kësaj, ndaj këtij komisariati ka nisur një hetim nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Për dhunën barbare të ushtruar ndaj dy kushërinjve Maja në 6 Korrik nga anëtarë të fisit Rraja në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë deri këto momente në pranga kanë rënë 8 persona. Ndërsa në kërkim janë shpallur: Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Klajdi Rraja, Rexhep Rraja, Edison Meta, 27 vjeç dhe Përparim Rraja, 48 vjeç.

Sipas Policisë, konflikti mes kushërinjve dhe grupit të agresoreve nisi për një gurore në pronësi të Petrit Rrajës, në fshatin Borizanë. Mësohet se dy kushërinjtë kishin bërë ankesë në polici se shpërthimet në gurore u kishin dëmtuar shtëpitë. Tv Klan mëson gjithashtu se këtë të shtunë policia dhe Agjencia Kombëtare për Burimet Natyrore kanë bllokuar guroren për të cilën nisi konflikti.

Ndërkohë, pas dhunës barbare që anëtarët e fisit Rraja, mes tyre djali dhe vëllezërit e deputetit socialist Rrahman Rraja ushtruan ndaj dy kushërinjve të fisit Maja, Rrahman Rraja ka dorëzuar mandatin e deputetit.

Të Fundit