Sipas kryeministrit Edi Rama, anketimi i kryer së fundmi tek qytetarët për sigurinë dhe besimin te Policia e Shtetit tregon më së miri faktet, e jo “shpifjet e rrjeteve sociale”. Së pari, ai theksoi se rendi e siguria garantohet nga një sërë aktorësh.
Deklaroi se me prezantimin e këtyre shifrave këtë të Premte, provohet për të 6-shtën herë në 13 vjet, sa ka ndryshuar imazhi i uniformave blu në sytë e qytetarëve.
“Sot erdha këtu sepse tema është tejet e dobishme, për të ndarë faktet nga fabrikimet. Për të ndarë realitetin konkret të punës së uniformave blu, me realitetin e baltosjes nga urrejtja mediatike për qeverinë e që padrejtësisht lëshohet edhe kundër Policisë së Shtetit, sa herë që gjendet edhe qoftë sebepi më i vogël. Për të ndarë pasqyrën e ecurisë së Shqipërisë në këtë fushë, me pasqyrat e deformuarave të ekraneve, portaleve ku Policia e Shtetit bëhet shënjestër e akuzave e shpifjeve. Prej një dekade e pak më shumë tanimë, qeveria e Suedisë bujarisht financon dhe mbikëqyr një anketim shkencor, plotësisht të pavarur nga qeveria shqiptare. Për të matur sa i kënaqur ose jo është publiku në raport me punën e Policisë së Shtetit.
Ç’ka mua më bën posaçërisht përshtypje nga ky anketim dhe besoj kujtdo që është i vetëdijshëm për “pam pamin” e daulleve që bien kundër fakteve dhe praktikisht është një hendek i madh që konfirmohet për të 6-ën herë në 13 apo 14 vjet, mes imazhit të Policisë dhe perceptimit për rendin e sigurisë, që shfaqet në ato pasqyra të deformuara dhe këndvështrimit të vetë publikut mbi punën e saj”, tha kreu i qeverisë.
Theksoi se ky anketim është tregues i qartë i ecurisë, ku pasqyrohet totalisht vullneti i lirë i publikut.