Rama po i kushton Shqipërisë jetë njerëzish, Basha: Ja vendimi i parë që do të marr kur të vij në qeveri

Kryetari i Partisë Demokratike ishte në Lushnje ku bisedoi me qytetarët e kësaj bashkie për situatën e vështirë që po kalon vendi si pasojë e keqmenaxhimit që po i bën qeveria situatës së pandemisë së COVID-19.

Në një takim të hapur në qendër të qytetit Basha tha se Edi Rama dhe qeveria e tij nuk kanë mbajtur asnjë premtim në këto 7 vite, por dështimi më i madh që po i kushton shqiptarëve jetë dhe shëndet është dështimi me shëndetësinë.

“Ndër premtimet e pa mbajtura qëndron edhe premtimi për shëndetësi falas që më pacipësi e përsëriti edhe para disa ditësh ndërsa kaloi buxhetin e fundit të qeverisë së tij në ikje.
Shëndetësi falas!
Shëndetësi falas premtoi!
Shikoni ku jemi sot.
Sot u krahasua me Gjermaninë dhe me Francën. Ra me këmbët e tij brenda. Gjermania jep 24 përqind të prodhimit të brendshëm bruto (GDP) kundër COVID dhe për të ndihmuar njerëzit në nevojë, për të ndihmuar bizneset që po falimentojnë, për të mbajtur të hapura vendet e punës. Franca 23 përqind të GDP.

Po ky?
Sipas FMN-në më pak se 1 përqind, 0.89 përqind ka dhënë kundër COVID-it. Pse? Sepse lekët që ua merr shqiptarëve, paratë e taksave të shqiptarëve në vend që ti investojë tek shëndetësia, në vend që ti investojë për të ndihmuar familjet në nevojë, në vend që t’jua japë të papunëve dhe familjeve në nevojë të cilët në këtë periudhë pandemie janë shtuar e dyfishuar, këto para i transferon prapë tek miqtë e tij, tek mafia e plehrave”, – tha Basha gjatë takimit me qytetarët në Lushnjë.

Shefi i opozitës tha se qeveria në vend që të ndihmojë qytetarët në kohë pandemie, paratë e taksave të tyre i çon për një grusht miqsh të kryeministrit dhe solli shembullin e inceneratorëeve ku sipas tij vetëm dy ditë më parë plot 800 milion kanë shkuar për inceneratorin e Elbasanit.

“Edhe këtë javë 800 milion lek të taksave tuaja, banorëve më të varfër të Ballkanit ia ka dhënë inceneratorit të Elbasanit”, – deklaroi Basha.

Sipas tij sikur këto para të ishin përdorur për shqiptarët dhe ekonominë e shëndetësinë në vojë nuk do të kishim këtë situatë të rëndë që kemi sot.

“Imagjino se sa familje mund të kishte ndihmuar me këto para që kanë humbur edhe vendin e vetëm të punës sepse kryefamiljari apo kryefamiljarja janë larguar nga puna apo biznesi është mbyllur. Imagjino se sa pensionistë mund të ndihmonte me atë atë çekun që kemi propozuar ne, 20 mijë lek në muaj për të paguar të paktën shpenzimet shtesë për shkak të pandemisë. Imagjinoni se sa të sëmurë nuk do të dergjeshin apo edhe nuk do të vdisnin nga COVID nëse këto para do të shkonin për të rimbursuar paketën e ilaçeve kundër COVID-it që në rastin më të mirë shkon 50-100 mijë lek, mesatarja 600 mijë lek, shkon në 1 milion e 200 mijë lek për një të sëmurë. Po për dy? Po për tre? Imagjinoni se çfarë do të kishte mundur të bënte nëse paratë do ti çonte tek spitalet?! Nëse këtu në Lushnjë, në Fier, në Durrës e kudo në Shqipëri në spitalet rajonale njësoj si në Kosovë apo në Maqedoni do të kishin repartin e posaçëm për të trajtuar të sëmurët me COVID. Imagjinoni nëse këto para do të jepeshin që edhe mjeku i familjes të trajnohej dhe të kishte protokoll të gatshëm për të sëmurët me COVID. Nuk po flasim më për vende pune. Nuk po flasim më për bukën e gojës, po flasim për jetët e njerëzve”, – nënvizoi kreu i opozitës gjatë fjalës së tij në takimin me banorët e Lushnjes.

Basha tha se Edi Rama dhe qeverisja e tij po i kushton shumë rëndë shqiptarëve.

“Edi Rama po i kushton Shqipërisë jetë njerëzish. Pasi shkatërroi ekonominë po shkatërron jetët dhe shëndetin e shqiptarëve dhe kjo vetëm e vetëm për të mbrojtur aferat e tij korruptive. Vetëm e vetëm për të vazhduar edhe në kohë pandemie vjedhjen e parave të qytetarëve.”

Po çfarë do të bënte Lulzim Basha nëse sot do të ishte kryeministër? Pyetje të cilës ai i dha përgjigje nga Lushnja.

“Shumëkush që kërkon garancitë se me ne do të jetë ndryshe, pyet: si do ta zgjidhësh këtë problem? Edhe sot më pyetën gazetarët e shëndetësisë: Çfarë do të bësh ti? Si do të mundësosh që mjekët dhe infermierët të kenë mjaftueshëm paga, mjete mbrojtëse, ilaçe, pajisje për tu përballur me COVID-19, për tu përballur me të sëmurët e tjerë që po vdesin trotuareve, siç e patë para disa javëve. Përgjigja është fare e thjeshtë: Një qeveri dhe një kryeministër nuk gjykohet nga llafet as nga ajo që vesh apo zhvesh. Një kryeministër dhe një qeveri gjykohet nga çfarë bën me taksat e shqiptarëve. Çfarë bën me taksat që iu mbledh njerëzve, si i shpenzon lekët.

Të Fundit