Rama: Nga 1 Maj nis epoka e shërbimeve pa sportele, i japim një goditje korrupsionit.

Ditën e sotme po mbahet aktiviteti informues i mbylljes së sporteleve të shërbimeve publike dhe kalimi i tyre online me qëllim përmirësimin e shërbimit të administratës publike ndaj qytetarëve dhe biznesit.

Në lidhje me këtë, kryeministri Rama ka shkruar në Facebook se në datën 1 Maj do të nisë një epokë e re e shërbimeve pa sportele.

“Në 1 Maj nis epoka e re e shërbimeve pa sportele. Shqipëria ka hyrë në elitën e vendeve më të zhvilluara për qeverisjen digjitale dhe është ndër të parat që i ofron shërbimet me dokumente përmes platformës kombëtare digjitale. Ky është një stacion historik i Revulucionit Digjital ku mbarojnë radhët, zvarritjet dhe bakshishet e një epoke që ka mbërritur në hapat e saj të fundit”, ka shkruar Rama.

Sjellim në vëmendje se para disa ditësh kryeministri Rama ka njoftuar përmes rrjeteve sociale se Shqipëria ka dalë e para në rajon për shërbimet digjitale.  Më tej, kreu i qeverisë ka bërë me dije se më 30 Prill do të mbyllen sportelet e shërbimeve me dokumente.

“Në 30 Prill mbyllim sportelet e shërbimeve me dokumenta dhe i japim një shqelm vendimtar korrupsionit, radhave, zvarritjeve për marrjen e një dokumenti shtetëror”, shkruante Rama në Facebook.

Sipas një raporti të BERZH, Shqipëria i ka rritur shërbimet digjitale nga 44.1% në vitin 2015 në 83% në vitin 2020.

Sipas të dhënave të BERZH Shqipëria është ngjitur në vendin e 17 mes disa vendeve në botë për shërbimet digjitale qeveritare.

Mbyllja e sporteleve, Rama: I japim një goditje korrupsionit. Nuk do të ikë njeri nga puna

Nga 1 Maji do të mbyllen sportelet dhe pjesa më e madhe e shërbimeve do të kalojë online, ku qytetarët mund t’i marrin nga e-Albania. Kreu i qeverisë Edi Rama u shpreh se tashmë është përmbyllur një pjesë e konsiderueshme e revolucionit dixhital dhe i jepet një goditje korrupsionit.

“Kështu që në këtë aspekt ne jemi në një fazë kur përmbyllim një pjesë të konsiderueshme të revolucionit dixhital dhe i japim një goditje, një shqelm, një shtytje më larg, jo fare larg akoma korrupsionit në shërbime, bakshishit dhe ryshfetit. Pjesa tjetër që është shumë e rëndësishme të thuhet është se nuk do të ikë njeri nga puna. Të gjithë do vazhdojnë punën, por do bëjnë një punë tjetër. Në vend të marrjes në pyetje, të hetimit, të torturës së qytetarëve që vijnë në sportel do të merren me plotësimin e dosjeve online të qytetarëve. Pra nëse për të marrë një dokument x duhen dhe 5 dokumente të tjera që merren nga institucione të ndryshme dhe deri dje ishte i detyruar ta merrte qytetari, tashmë kemi filluar ta marrim kthesën, por jo të plotë, pas datës 1 Maj të gjitha këto do të garantohen nga sistemi. Çdokush që sot punon në sportel nuk do të ketë përballë qytetarë që vijnë me radhë dhe që kërkojnë shërbim, por do të kenë kompjuter dhe qytetarët do të jenë aty në formën e aplikimeve”, tha Rama.

Edhe pse pjesa më e madhe e shërbimeve do të jetë online, kreu i qeverisë u shpreh se disa prej tyre do të vazhdojnë të funksionojnë me sportele për shkak se është e nevojshme paraqitja fizikisht.

Po ashtu, ai u shpreh se ka nisur një projekt tjetër që vitin e ardhshëm në e-Albania të jetë asistenti me zë.

“Ndërkohë kemi filluar projektin tjetër për të pasur brenda vitit të ardhshëm asistentin me zë, po këtu siç është Siri për shembull, që e dini që futesh aty dhe e pyet. Kështu do të jetë edhe asistenti dixhital i çdo qytetari që për të marrë përgjigje për çdo shërbim, si merret shërbimi, do ta ketë këtu në telefon asistentin me zë dhe nga shtëpia do t’i kërkojë përgjigje për gjithë atë gamë që lidhet me shërbimet me dokumente”, u shpreh Rama.

Rama: Ministria e Brendshme të marrë të gjithë printerat dhe letrat nga zyrat e Gjendjes Civile

Kryeministri i vendit, Edi Rama është shprehur se i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme që të marrë të gjithë printerat dhe letrat nga zyrat e Gjendjes Civile.

Rama thotë se kjo do bëhet me qëllim që të ju kursehet kohë qytetarëve dhe para shtetit.

Përkthyer në shifra, kryeministri Rama tregon se nga pagesat e sporteleve, u janë kursyer njerëzve 7 milionë euro vetëm për letrat.

Edi Rama: I kam kërkuar në një mbledhje parapërgatitore për këtë, para 2 ditësh sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Brendshme që Ministria e Brendshme duhet të marrë të gjithë printerat dhe të gjitha letrat nga zyrat e Gjendjes Civile, komplet. Dhe në zyrat e Gjendjes Civile nuk do të ketë më printera dhe nuk do të ketë letra në mënyrë që të mos ketë më asnjë mundësi për të prodhuar certifkata  me letër sepse nuk ka nevojë. Është humbje kohe për njerëzit, është para për shtetin, është para dhe për njerëzit. Janë 7 milionë euro që janë kursyer vetëm nga ato pagesat e vogla të sporteleve për të marrë letra. Vetëm për letrat u janë kursyer njerëzve 7 milionë euro, do ju kursehen dhe më shumë./tvklan

 

 

Të Fundit