Rama në kryesinë e OSBE-së: Jemi në krizë, kemi dështuar në trajtimin e dobësive tona.

Kryeministri Edi Rama ka drejtuar sot takimin e 27-të të Këshillit Ministerial të OSBE-së në cilësinë e kryetarit të radhës të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri të Europës.

Rama theksoi se kjo organizatë ndodhet në krizë, që sipas tij është një krizë që po përkeqësohet nga dita në ditë. Ai sqaroi më tej se kjo gjendje nuk është shkaktuar nga vetë organizata, por nga vendet anëtare pjesëmarrëse.

“Kur Shqipëria mori kryesinë e OSBE-së, të gjithë folën për një organizatë që ishte në vështirësi. Duke u ulur këtu tani mundem vetëm të konfirmoj atë ç’ka paraardhësit e mi kanë ndjerë gjithashtu. Ne jemi në krizë, një krizë në përkeqësimi. Kjo nuk është një situatë që i është shkaktuar organizatës nga struktura apo nga njerëzit e saj, sepse ata të gjithë duhet përgëzuar për angazhimin e tyre të palodhur për të siguruar sigurinë në të gjithë Europën.

Kjo gjendje është shkaktuar nga ne, nga 57 vendet anëtare të OSBE-së. Supozohej që do të kishim një vizon të përbashkët, të krijuar në Helsinki, në Paris, Stamboll, për një Europë demokratike. Ky vizon po largohet më tepër prej nesh, parimet tona nuk po respektohen, sepse angazhimet tona nuk zbatohen, divergjencat po rriten, sepse përballja zgjidhjet përmes bashkëbisedimit”, u shpreh Rama.

Kreu i OSBE-së theksoi më tej se kjo organizatë ka dështuar të trajtojë dobësitë e saj dhe të përmirësojë veten.

“Duke lënë politikën mënjanë, jam shumë herë i shqetësuar për krizën e bashkëpunimit, çka nënkupton në nivel lokal. Kemi dështuar që të trajtojmë si duhet dobësitë tona dhe të përmirësojmë veten tona, apo të trajtojmë sfidat dhe kërcënimet me të cilat përballet shoqëria jonë”, tha ai.

Duke iu referuar konflikteve si në Bjellorusi dhe Ukrainë, z.Rama deklaroi që të lihet pas krahëve qëndrimi i luftës së ftohtë.

“Nuk mund të vazhdojë kështu pafundësisht. Organizata jonë nuk mund të punojë nëse nuk lëmë pas qëndrimin e luftës së ftohtë dhe nuk lihet pas krahëve njëherë e përgjithmonë.

Në asnjë hapësirë tjetër përveç hapësirës së OSBE-së mund të diskutohet. Në asnjë organizatë tjetër si kjo nuk mund të përballet me sfidën e bashkimit të dy botëve në kundërshti. Kriza e pandemisë ka prekur të gjithë aspektet e jetës sonë.

Ndërkohë që ne përqëndrohemi në pasojat ekonomike, ne duhet të kuptojmë ndikimin mbi sigurinë tonë”, tha ai.

Të Fundit