Rama në Berat: Shiu që ka nisur, paralajmërimi i gjithë breshrit të votave të PS. Brenda mandatit të tretë do i çojmë në mbi 1 miliard….

BERAT

Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Berat për takim me qytetarët teksa në nisje të fjalës së tij ka nisur dhe shiu. Rama e ka interpretuar si një paralajmërim për breshrin e votave të PS.

“Shiu që ka nisur është paralajmërimi i gjithë breshrit të votave të PS që do të hyjë në të gjitha kutitë e votimit që nga Kuçova deri në Skrapar. Që nga Poliçani deri në Dimal dhe natyrisht këtu në Berat. këtu në Berat ku disa vite më parë ishte vërtetë e lodhshme të vijë, ishe një rrugë plot gropa, një rrugë që nuk çonte drejt qytetit turistik, nuk të çonte në një prej vendeve të krenarisë por dukej sikur nuk të çonte asgjëkund. Kujtesa do t’ju ndihmojë që të sillni para syve se si në anë të asaj rruge ishin të rreshtuara tezgat me fruta, me perime, të mbuluara me fier. Rrugët e Shqipërisë ishin si rrugët e një merkatoje kaotike, rrugët e dëshpërimit dhe të mbijetesës për qindra njerëz që punonin tokën. Sot nuk janë më ato tezga në asnjë rrugë të Shqipërisë. Duhet të mundohesh për të gjetur ndonjë tek-tuk. Ku janë ato prodhime, jo vetëm që nuk janë pakësuar por janë shumëfishuar po shkojnë në pikat e grumbullimit”, deklaroi Rama.

Ai tha se ne do ta bëjmë Shqipërinë kampione të eksporteve bujqësore në gjithë rajonin tonë.
“Sot Shqipëria ka shkuar në vendi ne parë për eksporte bujqësorë duke lënë disa vende pas në disa zëra. Jemi eksportuesit më të mëdhenj të domates, të perimeve, por kemi akoma kaq shumë mundësi, potenciale, kaq shumë rrugë për të bërë. të bashkuar kemi mundësi ta ngjisim Shqipërinë në atë majë ku e kanë lënë amanet.
Të jeni të bindur nëse ne para 6-7 vitesh eksportonim 100 mln prodhime bujqësore dhe sot 400 milionë, brenda mandatit të tretë do i çojmë në mbi 1 miliard. Nëse para 6-7 vitesh arrinim të punonim 120 mijë ha tokë buke dhe sot kemi shkuar në rreth 230 mijë duke e dyfishuar sasinë e tokës që punohet. I kemi të gjitha mundësitë që të vazhdojmë ta zgjerojmë këtë mundësi dhe nga kjo tokë të nxjerrim shumë më tepër prodhim. Sot ne e kemi përgjysmuar volumin e importeve dhe kemi rritur të eksporteve. Importojmë 1, eksportojmë 3”, deklaroi kryeministri.

Ai tha se dorëzimi nuk është alternativë. “Ka vetëm një alternativë përpara këtyre ndjesive që janë të mirëkuptueshme për shkak të pandemisë, kjo alternativë është të vazhdosh të ngjitesh dhe kur këmbët të thonë ndalo, të ngjitesh dhe kur zemra thotë po plas. Ne mund ta bëjmë Shqipërinë ku vajzat dhe djemtë, Zaho dhe bashkëmoshatarët të ndihen krenarë për kushtet e kësaj shtëpie, e shtëpisë së përbashkët që quhet Shqipëri.
Sot Berati është diçka krejt tjetër. Është një vend ku hapen dyer, javë pas jave, muaj pas muaji dhe shtëpitë e vjetra, të mrekullueshme që janë xhevahire të mbledhura kthehen në bujtina, në forcë ekonomike për ato familje që i kanë, për ato familje që punojnë në ato shtëpi. Kjo na mjafton për të kuptuar se sa shumë dyer akoma kemi për të hapur por ama jemi ne të vetmit që do i hapim.
Do mbështesim çdo djalë, çdo vajzë që do kthehet të hapë derën e shtëpisë së stërgjyshit, të babës, për ta kthyer atë shtëpi në pjesë të rrjetit të turizmit, të agroturizmit”, tha Rama.

Ai theksoi se sot që jemi afër daljes së tunelit të pandemisë, ne mund ta shohim Shqipërinë pikërisht me dritën e diellit që po shkëlqen përsëri dhe sot ne mund të projektohemi në të ardhmen jo me dëshira, as ide që duan kohën e tyre por me gjithë ato projekte e programe që tani kërkojnë kohën dhe punën e jashtëzakonshme dhe janë gati.

“Janë rreth 10 mld që janë gati për të filluar për të financuar ekonominë shqiptare. Porti i madh turistik i Durrësit nuk është një plan, aq më pak një dëshirë, është një projekt konkret, me kompaninë që ka ndërtuar portin turistik të Dubait dhe është një projekt që pre të fillojë. Duhet vetëm puna dhe koha që puna do në dispozicion. Ai port së bashku me portin turistik të Vlorë, me portin turistik të Sarandës që ka filluar nga puna, me atë të Shëngjinit janë 4 porta të reja nga deti për Shqipërinë. Do sjellin turistë por të një kategorie tjetër, turistë me shumë para, njerëz të kamur që eksplorojnë brigjeve të Mesdheut, turistë që do duan të rikthehen pasi të kenë përqafimin e parë me këtë vend të bekuar. Do duan të hyjnë më thellë, do duan të shohin Beratin”, tha Rama.

Sipas tij, Shqipëria i ka të gjitha ato që i duhen që populli i vet të rrojë në paqe. “Çfarë e ka penguar Shqipërinë? Pse Zoti ka qenë aq bujare me Shqipërinë dhe pse Shqipëria nuk është aq bujare me vajzat dhe djemtë, e ka penguar poshtërsia. Çfarë duhet të bëjë Shqipëria, shqiptarët? Të bien pre e këtyre ndjenjave, apo të ndihen krenarë që me forcën e karakterit, të bashkimit, të durimit, besimit ne ja dolëm aty ku shumë vende të tjera nuk po ia dalin dot. Ia dolëm që të qëndrojmë përballë sulmit të tmerrshëm të një virusi, duke qenë të parët në Europë për ritmin e vaksinimit”, tha Rama.

Ai sulmoi dhe programin e PD. “Kaq lekë për çiftet e reja, kaq lekë për çiftet në moshë mesatare. Ju shkoni vetëm mirë me njeri-tjetrin se ju japim lekë ne. Do i japim 1000 euro biznesit të vogël. Po si, nga do vijnë këto lekë. Këto lekë vijnë vetëm nga ai hon që bashkëjeton brenda shqiptarëve dhe nga ku zërat e të shkuarës, të sharlatanëve rikthehen në forma të ndryshme. janë po ato zëra që na kanë penguar që ne të ngjitemi aty ku e meritojmë, janë po ato zëra që duan të na rikthejnë ku nuk e meritojmë. Më 25 prill o për Shqipërinë aty ku e meritojmë, ose kundër Shqipërisë ku populli nuk e meriton, nesër do jetë shumë vonë”, tha Rama.

Të Fundit