Rama: Buxheti i vitit të ardhshëm i dedikohet projekteve të AI në arsimin e lartë

Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të mërkurë në ceremoninë e firmosjes së marrëveshjes mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) dhe Universitetit Politeknik të Tiranës.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama tha se Pakti për Universitetin vazhdon jo vetëm me përmirësimin e infrastrukturës universitare, por edhe me përfshirjen e teknologjive të reja në arsimin e lartë.

“Marrëveshja është një hap konkret për të përgatitur studentët tanë në mënyrë të drejtpërdrejtë me tregun e punës, duke u dhënë jo vetëm njohuri teorike, por edhe eksperiencë reale në zhvillimin e infrastrukturës,” u shpreh Rama.

Ai theksoi nevojën për transformimin e universiteteve shqiptare në përputhje me zhvillimet globale, përmes laboratorëve bashkëkohorë dhe integrimit të inteligjencës artificiale (AI) në mësimdhënie dhe kërkim shkencor.

“Është e domosdoshme ta fuqizojmë Universitetin me laboratorët dhe teknologjinë e nevojshme, në mënyrë që ndryshimi epokal që po ndodh kudo në botë të përfshijë edhe arsimin tonë,” deklaroi kryeministri.

Në vijim të kësaj, Rama njoftoi se në çdo universitet do të krijohen hapësira të posaçme për zhvillimin e projekteve në fushën e inteligjencës artificiale.

“Ajo që e bën ekzaltuese inteligjencën artificiale është se ka pak rëndësi ku ndodhesh në glob dhe në cilën renditje ndodhet vendi yt. Me AI mund të bëhen kapërcime epokale që më parë ishin të pamundura, pavarësisht talenteve,” theksoi ai.

Kreu i qeverisë bëri të ditur se në buxhetin e vitit të ardhshëm do të përfshihet një komponent i dedikuar për mbështetjen e projekteve dhe iniciativave në fushën e AI në arsimin e lartë.

“Pedagogët duhet të punojnë më shumë për rritjen e komponentit të inteligjencës artificiale në mësimdhënie dhe në aktivizimin e talenteve të rinj,” përfundoi Rama.

Të Fundit