Rama: 8 mijë Lekë për çdo pensionist dhe person me aftësi të kufizuar nga Pakoja e Madhe

Kryeministri vijon të publikojë detaje nga paketa e njoftuar një ditë më parë

Një ditë pasi njoftoi se qeveria po mbyll një paketë ndihme për qytetarët, Kryeministri Edi Rama është duke dhënë detaje përmes postimeve në faqen e tij zyrtare në Facebook se çfarë do të përmbajë ajo që e ka pagëzuar si “Pakoja e Madhe”. Më herët gjatë ditës, ai njoftoi se 695 mijë pensionistë do të përfitojnë nga 8 mijë lekë nga Pakoja e Madhe.

“695 mijë pensionistë do të marrin nga 8000Lekë (të reja) secili nga Pakoja e Madhe, ku do të kenë pjesën e tyre 1 milionë shqiptarë, që do të përfitojnë sipas kategorive deri në 20000Lekë (të reja), për të zbutur impaktin e inflacionit të luftës deri në fund të këtij dimri të vështirë për mbarë Europën”, shkroi Rama.

Ndërkohë po Rama thotë se të njëjtën shifër, pra 8 mijë lekë, do ta përfitojë çdo person me aftësi të kufizuar. Kjo ndihmë sipas Ramës, do të lehtësojë impaktin e inflacionit të luftës mbi konsumin bazë të kësaj shtrese në muajt e mbetur të dimrit. Kreu i qeverisë bën me dije se edhe përgjatë vitit 2023 do të vijojë subvencionimi masiv i energjisë.

“8000Lekë (të reja) për çdo person me aftësi të kufizuar, do të lehtësojnë maksimalisht impaktin e inflacionit të luftës mbi konsumin bazë të kësaj shtrese në muajt e mbetur të dimrit, ku falë edhe subvencionimit masiv të çmimit të energjisë që do të vazhdojë përgjatë vitit 2023, mburoja financiare e qeverisë për familjet shqiptare e bën shumë më të përballueshëm këtë dimër të vështirë ekonomik për mbarë Europën”, shkruan Rama.

Për 1 milionë qytetarë të kategorive të ndryshme qeveria ka vendosur të lëvrojë një fond prej 8 miliardë Lekësh, si mbështetje për inflacionin e shkaktuar nga kriza e çmimeve. Sipas Ramës, paketa do të shpërndahet në ditët e para të Janarit./tvklan.al


Të Fundit