Ra nga lartësia 50 metra, gjendet turisti polak në Kanionet e Gjipesë

Forcat e policisë dhe zjarrfikësit e Himarës kanë bërë të mundur gjetjen e turistit polak dhe transportimin e tij drejt autoambulancës. Polaku është nxjerrë nga Kanionet e Gjipesë dhe është nisur drejt spitalit të Vlorës.

Policia ben me dije se turisti ka dëmtime në këmbën e djathtë, thyerje si dhe fraktura në pjesë të ndryshme te trupit pasi lartësia që ai ra në kanion ishte gati 50 m.

Në ndihmë të shtetasit Polak kishte ardhur një alpinist nga Vlora, dhe po ashtu një infermier .

Njoftimi i plotë: Shërbimet e Policisë, shërbimet zjarrfikëse, falë ndihmës së një alpinisti nga Vlora, në një shkallë të lartë vështirësie dhe rreziku për jetën, bënë të mundur nxjerrjen, nga kanionet e Gjipesë, e një turisti polak.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, përmes një mesazhi, të dërguar nëpërmjet Drejtorit Vendor të Policisë Vlorë, që ka ndjekur e drejtuar operacionin e shpëtimit, ka falenderuar alpinistin nga Vlora, Kosta Xhaho, Delta Forcën , zjarrfikësit, shërbimet e Policisë Himarë dhe ekipin e Urgjencës, për sakrificën dhe shpëtimin e turistit polak.

Në lidhje me informacionin paraprak të datës 08.04.2022, ku në Sallën e Komandës dhe të Kontrollit në DVP Vlorë, ka ardhur një telefonatë nga një turist, shtetas polak, A. P., 24 vjeç, i cili kishte kërkuar ndihmën e Policisë, pasi ishte rrëzuar në vendin e quajtur “Kanionet e Gjipesë” dhe kishte pësuar frakturë në njërën këmbë, sqarojmë se:

Menjëherë në drejtim të tij u nisën shërbimet e Policisë Himarë, MNZ Himarë, Delta Forca, një mjet i Urgjencës Mjekësore, si dhe alpinisti Kosta Xhaho.

Pas një pune profesionale në kushte të larta të rrezikshmërisë për jetën, për shkak të terrenit mjaft të vështirë, dhe duke treguar kujdes që turisti të mos dëmtohej më shumë, paraditen e sotme, u bë e mundur nxjerrja e shtetasit polak dhe transportimi i tij për ndihmë mjekësore. Shtetasi polak A. P. është aktualisht jashtë rrezikut për jetën.

Të Fundit