Ish-kryebashkiaku i Lushnjes Fatos Tushe, i arrestuar për abuzimin tenderin me vlerë 24 milionë lekë për rehabilitimin e një kanali vaditës, i është drejtuar Gjykatës së Lartë ku kërkon pavlefshmërinë e përgjimeve të kryera nga SPAK.
Tushe u arrestua me 6 korrik bashkë me ish-vartësit e tij për akuzën shpërdorimit të detyrës dhe do të vijojë të qëndrojë në burg pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit ka rrëzuar për të katërtën herë kërkesën e tij për liri.
Arrestimi i Tushes u bë lidhur me një tender me vlerë rreth 24 mln lekë për rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj. Nga hetimet dhe përgjimet e Prokurorisë së Posaçme të nisura në 2020-ën rezulton Fatos Tushe ka shpërdoruar detyrën në tre raste.
Përgjatë një viti hetimesh, SPAK pretendon se ish kryebashkiaku i Lushnjes, ka kryer shkelje jo vetëm për dhënien në favor të miqve tenderin prej 23 milionë lekësh. Sipas SPAK ndonëse fituese u shpall ‘Euro Alb’, punimet për rehabilitimin e kanalit vaditës i kreu shoqëria e Ibrahim Lamit, i cili shfaqet shpesh në biseda dhe përgjime, si dhe etiketohet si ‘miku’ i ish kryebashkiakut. Një tjetër episod kundër ish kryebashkiakut lidhet me një telefonatë në të cilën një banor i kërkon ndihmë sepse një inspektor i kishte pezulluar ndërtimin e banesës, dhe ai i përgjigjet “Thuaji që fola me shefin”.