“Qytetarët duhet të zbatojnë rregullat”, Balla: Nuk më interesojnë gjobat

Ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaroi në një takim me Policinë e Durrësit se nuk i interesojnë gjobat përballë bindjes së qytetarëve se duhet të respektojnë rregullat.

Ai kërkoi nga Policia Rrugore të jetë e kujdesshme në komunikimin me qytetarët, ndërsa kujtoi se efektivët nuk janë gjahtar gjobash.

“Policia Rrugore nuk është gjahtare shkelësish. Nëse një drejtues automjeti nuk ka të vendosur rripin apo përdor telefonin e lëvizshëm gjatë drejtimit, përpara se t’i kërkoni dokumentet, është detyrim të përshëndeteni me qytetarin, pyeteni çfarë halli ka që e shtyjnë të shkelë rregullat e qarkullimit rrugor, duke rrezikuar veten e të tjerët. Pra ajo që për ne ka rëndësi është siguria rrugore, është edukimi apo ndërgjegjësimi. Nuk është gjoba, qëllimi. Asnjë rast nuk është njësoj me tjetrin. Nuk më interesojnë “sukseset” e gjobave, por bindja e përgjithshme e qytetarëve se duhen zbatuar rregullat, jo pse është një punonjës i policisë rrugore pas kthesës, por sepse kështu mbrojmë jetë njerëzore”, tha Balla.

Durrësi është qyteti me flukset më të larta të pushuesve vendas e të huaj, e për këtë Policia e Shtetit në koordinim me strukturat e tjera shtetërore kanë përgjegjësi kyçe për sigurinë në vijën bregdetare.

Lufta kundër kultivimit të narkotikëve mbetet një tjetër prioritet, theksoi ministri Balla nga Durrësi.

Të Fundit