Qiratë në Tiranë, 30% më të shtrenjta për 2023

Tregu imobiliar në Tiranë tre vitet e fundit ka njohur një shtrenjtim, por rritja më e madhe sipas agjencive imobiliare është vënë re gjatë këtij viti. Ndërkohë që shtatori sjell përherë rritje të kërkesës për shkak edhe të studentëve.

“20-30% patjetër, por nëse flasim për tërësinë sepse ka edhe diferenca që mund të shkojnë edhe 40-50% për apartamente në zona të spikatura që kanë edhe kërkesë më të lartë. Shtator, Tetor, Nëntor është tremujori kur rritja e çmimeve është shumë e ndjeshme.”

Çmimet mesatare variojnë sipas zonave, por sa më shumë t’i afrohesh qendrës dhe zonës së liqenit, vlerat e qirave shumëfishohen.

“Nëse i referohemi zonave rrotull qendrës apo brenda unazës së vogël çmimi normal i një apartamenti 1+1 shkon nga 35 deri në 40 mijë Lekë të reja por sigurisht në këtë peridhë fluksi mund të shkojë edhe në 400, 500 Euro apo edhe 600 Euro nëse është në një pallat të ri. Apartamentet 2+1 janë rreth 100-150 mijë Lekë të vjetra më shtrenjt.”

Ndikues në këtë rritje çmimesh sipas specialistëve janë edhe të huajit, por edhe rënia e euros pasi disa i kanë çmimet në monedhën europiane.

“Shumë banesa jepen me qira me Euro, dhe fakti që euro ka një rënie, kjo kthehet në një rritje të qerasë për të kapur atë kuotimin normal.”

Prurjet e larta të turistëve kanë sjellë edhe interesim për të përdorur platformat online, booking, dhe Airbnb për të dhënë shtëpitë me qira ditore.

“Është rritur shumë si biznes dhe kërkesat janë shumë të larta pë rata që vijnë për disa ditë apo pak javë më shumë sesa hotelet preferojnë apartamentet me qera afatshkurtra.”

Nga të dhënat, vetëm në kryeqytet ka mbi 3 mijë struktura në Airbnb të cilat jepen me qira ditore dhe çmimet mesatare shkojnë nga 30-50 euro për natë.

Të Fundit