Qiraja mujore e një apartamenti në Tiranë mesatarisht mund të arrijë në 500 euro. Në zonat e luksit, çmimet e qirave, sipas agjentëve të tregut imobiliarë, janë bërë shumë të “kripura”, duke pësuar rritje të vazhdueshme.
“Për zonën në Pazarin e Ri, nëse vitin e kaluar gjeje 359-400 euro, këtë vit apartamentet 1+1 kanë shkuar 500 euro. Rruga e Durrësit, Komuna e Parisit, apartamente 1+1, të mirëarreduara dhe të ndërtuara së fundmi mund t’i gjesh edhe me 800 euro. Më parë ne aty kemi dhënë me 500-550 euro apo edhe 400 euro për apartamente që nuk është se kishin luks, por që mund të banosh mirë.
Në zonat e qendrës, çmimi më i ulët që mund të gjesh për qira mujore është 600 euro. Sigurisht, apartamente që kanë vetëm kuzhinën, mund t’i gjesh edhe më lirë. Por pjesa më e madhe e këtyre apartamenteve jepen me qira ditore në AirBnB dhe kjo ka ndikuar në çmim dhe te personat që duan të banojnë dhe e kanë të vështirë, ”tha ekspert i pasurive të paluajtshme, Dorjan Sanxhaku.
Qiratë më të lira mujore gjenden në zonat më periferike.
“Kemi zonën e Freskut, zona e Astirit, Misto Mame, zona e Ali Demit, zona e Shkollës së Bashkuar, zona e Shkozës lart janë edhe më të lira, mund të gjesh apartamente me çmime 300-350 euro”, shtoi ai.
Sipas agjentëve të tregut, çmimet janë më të rritura për shkak të kërkesës së shtuar nga të huajt që jetojnë në Tiranë, të cilët përballojnë qira edhe më të shtrenjta se vendasit, por edhe nga studentët, që në këtë periudhë vijnë në kryeqytet për studime dhe kërkojnë banesë.
“Aktualisht po jetoj në Allias dhe qiraja mujore më shkon 200-250 mijë lekë bashkë me ujë dhe drita. Është e përballueshme për aq kohë sa e ndaj qiranë me dy vajza të tjera, në të kundërt nuk do të ishte e përballueshme. Do të doja të kisha një shtëpi më pranë fakultetit, por për shkak të çmimeve të larta kam zgjedhur të jetoj në Allias.
Para 1 viti jam interesuar në zonën e Vasil Shantos, Myslym Shyri, dhe qiratë varionin nga 450 për apartamente 1+1 deri në 800 kur ishin 2+1.Prandaj u detyrova të zhvendosem në Allias, edhe aty çmimet sa vijnë e rriten,. Nuk e ke më luksin të gjesh një shtëpi me qira 200 euro. Aktualisht qiratë në zonë shkojnë nga 300-500 euro”, tha studenti Gresimela Sula.
Agjentët imobiliarë pohojnë se veç kryeqytetit, qiratë janë shtrenjtuar edhe në Shkodër, Durrës, Korçë apo Vlorë.