Qeveria thotë se aeroporti i Vlorës nuk do të ndërtohet në zonën e mbrojtur të Nartës

Qeveria thotë se projekti i saj për të ndërtuar aeroportin e Vlorës nuk prek zonën e mbrojtur të Nartës, por përkundrazi i jep zhvillim turizmit dhe gjithë qarkut.

Kështu u shpreh gjatë një aktiviteti nismëtar të mbjelljes së rreth 11 mijë pemëve në zonën e Nartës ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi. Ministri tha se në thelb projekti parashikon investim në zonën ku dikur ka qenë aeroporti i vjetër dhe po shikohen mundësitë që projekti të respektojë rregullat për mjedisin.

“[…]është një investim i cili ka qenë, do të zhvillohet dhe do të prodhojë shumë të ardhura, mirëqenie edhe shumë të mira për vet komunitetin e kësaj zone dhe natyrisht për gjithë Shqipërinë,” – theksoi ministri Klosi.

Për projektin e aeroportit, i cili ka qenë një zotim i qeverisë prej së paku tre vitesh, së fundmi pati një reagim të përbashkët të 36 organizatave mjedisore. Ata shprehën shqetësim duke e konsideruar projektin si “jo-miqësore me mjedisin” pasi sipas tyre “shkatërron në mënyrë të pakthyeshme resurset dhe vlerat natyrore të zonës”. Laguna e Nartës dhe zona rreth saj përfaqëson ekosistemin më të madh ligatinor në Shqipëri dhe në Mesdhe duke qenë strehë e rreth 200 lloje shpendësh të egër dhe vend-folezim i rëndësishëm në Evropë për disa lloje të baltakëve (Charadriiformes) – spikat pelikani kaçurrel (Pelecanus crispus) dhe flamengoja (Phoenicopterus roseus).

Klosi foli edhe për zotimin e qeverisë për të kthyer në Park Kombëtar zonën e Lumit të Vlorës, degëzim ky i lumit Vjosa. Ai tha se “mbrojtja përfundimtare do të përçohet me projektin studimor të mjedisit”. Më herët ministri ka folur për këtë plan të qeverisë, i cili sikurse ka thënë ai është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

Por ky vendim, sipas organizatës mjedisore ECO Albania, nuk ka përfshirë të gjitha zonat e kërkuara prej kohësh nga mjedisorët, ku në të shkuarën ka pasur kundërshti për projektet e dy hidrocentraleve atje. Në një postim në Facebook, organizata thotë se vendimi i qeverisë nuk është zbardhur ende dhe se kjo e ka lënë çështjen të paqartë.

Bashkë me ministrin Klosi në nismën për të mbjellë rreth 11 mijë pemë në zonën e Nartës – në kuadër të ditës ndërkombëtare të “Ligatinave” ishin prezent edhe prefekti i Vlorës Flamur Mamaj, kryetari i Bashkisë Vlorë Dritan Leli dhe deputeti Damian Gjiknuri. Këta të fundit përshëndetën qasjen e qeverisë dhe mbrojtën projektin për aeroportin.

Të Fundit