Qeveria do të shpallë zonë të mbrojtur Vjosën nga kufiri me Greqinë deri në derdhjen në Adriatik

Qeveria ka në plan të shpallë zonë të mbrojtur të gjithë pjesën e lumit Vjosa, ndërkohë që është parashikuar të zgjerohet zona e mbrojtur edhe në Alpet e Shqipërisë.

Ky plan u bë me dije nga ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, gjatë një takimi të zhvilluar me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin (UNDP) për zhvillimin e infrastrukturës dhe shtigjeve turistike në zonat e mbrojtura.

“Vendimet në unanim të institucioneve shtetërore mbrojnë zona të tëra ku padyshim një nga ato më të debatuarat është e gjithë Lugina e Lumit Vjosë, e cila tashmë është një zonë e mbrojtur, […] duke hequr debatin që vazhdon të jetë në media për politika të caktuara duke garantuar opinionin publik se vendimi fundit i Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit e përcakton […] Parkun e Vjosës të gjithë nga kufiri i sipërm me Greqinë deri në derdhjen e saj në det një peizazh të mbrojtur, një zonë e mbrojtur një vlerë unikale të mjedisit shqiptar,” – tha ministri Klosi.

Deklarata e Klosit vjen disa muaj pasi kryeministri Edi Rama replikoi në distancë me Presidentin Ilir Meta për çështjen e Vjosës, lum në të cilin prej vitesh ka qenë planifikuar ndërtimi i disa hidrocentraleve.

Pas thirrjeve publike të Metës për ta shpallur luginën e Vjosës Park Kombëtar, Rama u përgjigj se qeveria e tij ka refuzuar zyrtarisht të japë leje për hidrocentrale në atë zonë. Deklarata e kryeministrit nuk u shoqërua me ndonjë vendim të publikuar, mirëpo u përshëndet nga disa eurodeputetë pasi Vjosa konsiderohet lumi i fundit i egër, me rrjedhje të lirë në Evropë dhe sipas disa studimeve është shtëpi e qindra gjallesash endemike.

Klosi tha sot se Agjencia Kombëtare e Territorit në bashkëpunim me ministrinë e Mjedisit ka rishikuar të gjitha zonat e mbrojtura duke i përmbledhur në një studim, i cili pritet të miratohet nga qeveria, studim ky që parashikon zgjerimin edhe të zonës së mbrojtur në Alpe.

Ndërkohë projekti i UNDP-së, në bashkëpunim me ministrinë, synon të sigurojë burime financiare të mjaftueshme, të qëndrueshme dhe afatgjata për zonat e mbrojtura, t’i alokojë ato në kohën e duhur dhe të sigurojnë që zonat e mbrojtura të menaxhohen në mënyrë efektive dhe efikase.

Të Fundit