Pagat dhe numrat e identitetit të mijëra qytetarëve janë publikuar ditën e sotme në disa media online.
Pas ankesës së një grupi qytetarësh për publikimin e të dhënave personale, Prokuroria e Tiranës ka nisur verifikimet. Prokuroria do të kërkojë zyrtarisht në Drejtorinë e Tatimeve dhe Institutin e Sigurimeve verifikim për nxjerrjen e dokumenteve zyrtare.
Linku po qarkullon në media dhe rrjetet sociale.
Në linkun në formatin word që po shpërndahet kryesisht përmes ‘Whatsap’ janë bërë publike emrat, mbiemrat, numrat e identifikimit, institucionet ku punojnë dhe paga.
Në listat e bëra publike përfshihen institucione shtetërore dhe private, ku pasqyrohen edhe pagat e zyrtarëve të lartë, përfshi edhe ata të Shërbimit Informativ Shtetëror.
Skandali i daljes së të dhënave personale të pagave vjen pak muaj pas rrjedhjes së të dhënave personale të qytetarëve në prag të zgjedhjeve të 25 prillit, në të ashtuquajturin skandali i patronazhistëve.